Fjalimi i Albin Kurtit në Tubimin Përmbyllës të fushatës për Kryetar të Komunës së Ferizajt

Të nderuar qytetarë të Ferizajt,

Të dashur qytetarë pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,

 

Faton Topalli është fati jonë dhe halli i kësaj Qeverie. Mirëpo, gjersa kjo Qeveri është problemi i Kosovës, Fatoni është zgjidhja për Ferizajn.

 

E vërteta e tregimit të Ferizajt ishte kjo qeverisje e keqe. Tregimi i vërtetë për Ferizajn do të jetë njeriu i mirë Faton Topalli. Gjatë kësaj fushate, Faton Topalli është treguar në Ferizaj. Ditën e zgjedhjeve, Ferizaj duhet të tregohet te Faton Topalli.

 

Fatoni është politikani më aktiv, më i mençur dhe më i hapur në komunën e Ferizajt. Kur fiton Fatoni, fiton Ferizaj. Kur fiton Ferizaj, fiton Kosova. Kur fiton Kosova fiton shqiptaria. E, kur fiton shqiptaria, nuk përfiton asnjë matrapaz që hyri në politikë dhe asnjë politikan që u bë matrapaz.

 

Studentët e profesorët, nxënësit e arsimtarët, mjekët e pacientët, bujqit e punëtorët, invalidët dhe veteranët, amviset dhe të papunët, pleqtë e të rinjtë, gratë dhe burrat e Ferizajt do te gjejnë ta Faton Topalli kryetarin krenar dhe modest, kryetarin punëtor dhe të durueshëm, kryetarin e drejtë dhe transparent, në shërbim të të gjithëve, pa dallim moshe, gjinie a prejardhjeje.

 

Të gjitha shtresat shoqërore, të gjitha kategoritë e popullsisë, të gjitha grupet e interesit, Fatoni do t’i përfshijë në vendimmarrje sepse demokracia që e duam ne është demokraci pjesëmarrëse dhe demokraci direkte përveçse demokraci përfaqësuese. Sepse politikani mund ta përfaqësojë politikisht qytetarin vetëm me kusht që qytetari të marrë pjesë në politikë. Sepse, vetëvendosje do të thotë që politikani mbetet qytetar aktivist dhe qytetari bëhet politikan aktiv.

 

Ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! jemi të vendosur për demokraci. Sepse ne jemi Lëvizje demokratike për vetëvendosje. Nëse ne nuk vendosim për veten tonë, atëherë kot edhe votojmë. E nëse ne vendosim të votojmë, atëherë patjetër duhet të vetëvendosim.

 

Fatoni është për shtet të së drejtës dhe për pushtet të drejtë. Korrupcioni në Ferizaj e në Kosovë, korrupsioni në Kosovë e në Ferizaj, fillon me shpikjen e vendeve të punës për farefisin dhe militantët partiakë dhe përfundon me shitjen e pasurive publike për t’i mbushur xhepat privatë. Me Vetëvendosjen dhe Faton Topallin, ne do ta ndalim korrupsionin. Me Faton Topallin dhe forcën e ligjit, me programin e vetëvendosjes dhe shtetin e zhvillimit, kurrë më nuk do të jenë politikanët njerëzit më të pasur në vendin tonë. Me Faton Topallin në krye dhe me VETËVENDOSJE!-n në qendër, kurrë më në Ferizaj qytetarët nuk do t’i frikësohen pushtetit, por pushteti do t’iu frikësohet qytetarëve.

 

Koncepti ynë për zhvillimin ekonomik është i lidhur me shoqërinë. Ne nuk duam, thjesht, rritje shifrash, por ngritje të nivelit të jetesës së qytetarëve. Me Faton Topallin kryetar, pushteti në Ferizaj do të jetë universal dhe solidar. Universal, sepse të gjithë do të paguajnë për të mirën e përgjithshme. Dhe solidar, sepse, ata që fitojnë më shumë do të paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme.

 

Ne të VETËVENDOSJE!-s kemi qenë opozita më e drejtë, më aktive dhe më e mirë. Ne do të jemi edhe pozita më e drejtë, më aktive dhe më e mirë në Kosovën e pasluftës. Por, le t’ia nisim me Feizajn. Le t’ia nisim me Faton Topallin. Sepse me Fatonin kryetar, në Ferizaj, as nuk do të shitet pasuria kombëtare dhe as nuk do të blihen mallrat e Serbisë.

 

Dëshmorët e kombit e lanë familjen e tyre. Me Faton Topallin kryetar, Ferizaj do të bëhet familje për ta. Sepse familjeve që mbetën pa bijtë e bijat e tyre, të gjithë ne e kemi për detyrë t’u bëhemi bija e bijë të tyre.

 

Dëshmorëve të kombit iu desht ta mbrojnë atdheun. Neve po na duhet ta mbrojmë votën. Ata që dëshmorëve ua vodhën ëndrrën, qytetarëve po ia vjedhin votën dhe lirinë. Vota e mbrojtur dhe demokracia e vendosur janë borxh ndaj atyre që na e bënë të mundur të votojmë të lirë në atdheun e çliruar. Por, ne kurrë nuk do të lejojmë, që atdheun të cilin dëshmorët tanë e çliruan nga jashtë, të na e pushtojnë këta qeveritarë nga brenda.

 

Nëse e doni Ferizajin në fusnotë votoni për këta agjentët e shërbimeve informative ose kukullat e tyre. Nëse e doni Ferizajin qytet të zhvilluar dhe komunë të përparuar votojeni Fatonin. Fatoni është i gatshëm për Ferizajn. Ferizaj le të bëhet i gatshëm për Fatonin.

 

Zgjedhjet e së dieles janë zgjedhje të jashtëzakonshme. Le ta bëjmë atë ditë edhe ditë të fitores së jashtëzakonshme. Me Faton Topallin fiton Ferizaj. Fitorja e Ferizajt e mban emrin e Faton Topallit.

 

Prandaj, votoni për Fatonin tuaj, votoni për fatin tonë, votoni për Faton Topallin, votojeni numrin 23. Secili le të votojë dhe të gjithë do të fitojmë. Gjithçka më shumë se Fatoni është më pak se vetëvendosje. Gjithçka më pak se vetëvendosje është aspak.

 

Pasnesër kur do të dilni të votoni, mos harroni që historia është histori e shanseve, porse 29 prilli është shansi historik. Po, pra: 29 prilli është data. E diel është dita. Ferizaj është qyteti. 23 është numri. Fatoni është njeriu. Vetëvendosje është fitorja.

 

Fjalimi i Florin Krasniqit në tubimin përmbyllës

 

Mirëdita të gjithëve

 

Ju e dini historinë time, e dini që unë vi prej diasporës shqiptare si investitor, me idenë për ta vendosur kapitalin tim në ndihmë të zhvillimit ekonomik të atdheut.

 

Si unë, ka me qindra biznesmenë të suksesshëm në Perëndim. Gjithë partitë tjera flasin për ta sjellë këtu investitorin, por me vepra e pamundësojnë investimin në Kosovë. Investimet e tyre janë të pasigurta, kërcënohen prej haraçit, kërcënohen prej SHIK-ut.

 

Ne do ta pamundësojmë haraçin dhe do të ndërtojmë së bashku një ambient të sigurt e miqësor për biznesmenët dhe kapitalin e mërgatës sonë. Unë e njoh mërgatën, ata do të vijnë të investojnë këtu, në Ferizajn tuaj, në Ferizajn tonë. Kështu do të hapen vende pune e do të vijë zhvillimi.

 

Ne do ta përkrahim mërgatën, sepse sot VETEVENDOSJE! i ka dy deputetë që vijnë nga mërgata, unë dhe Afrim Hoti, e tani do ta ketë edhe një kryetar komune që vjen nga mërgata, e ai është Faton Topalli.

 

Mos përtoni, mos u frikësoni, mos u shitni. Votoni atë që mendoni se është më i miri për ju. Votoni Faton Topallin.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni