EKSKLUZIVE Dr.SELMANI: Qeveria e FYROM-it ka drejtuar sytë kah Rusia dhe Afrika, ka "harruar" shqiptarët në këtë Republikë ish-jugosllave

“Marrëveshja e Ohrit, Qeverisë aktuale i shërben vetëm si pamflet propagandues se kinse po punohet në atë drejtim, e në esencë mungon realizimi thelbësor dhe i drejtë i saj. Shkupi zyrtarë ka përzënë mbi 250.000 shqiptare nga FYROM të cilën sot punojne ne Zvicer, Gjermani, Belgike, Amerike etj..Ata s’kane dalur nga qejfi ne perednim por shteti i ka dëbuar, të injoruar të pa punë ata janë viktimë e diskrimnimit dhe politikës antishiptare të sallvomaqedonasve..” ka deklaruar njeriu numer një i Partisë shqipare Demokracia  e Re në Maqedoni për AIK “Presheva Jonë”

INTERVISTE EKSKLUZIVE Dr.IMER SELMANIT DHENËNË AGJENCISË INFORMATIVE KOMBËTARE “PRESHEVA JONË”

Shkup, 6 shkurt / AIK-Presheva Jonë

PRESHEVA JONE: Z.kryetar jeni jeni të kënaqur me situatën aktuale dhe mund të thuhet se marrëveshja e Ohrit është implementuar ashtu siq ka insistuar lidershipi shqiptarë në këtë ish-republikë jugosllave ?

IMER SELMANI: Me keqardhje duhet të konstatoj se situata momentale politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni është e rëndë dhe vendi është futur në krizë të thellë. Vlerësoj se shkas për këtë situatë me të cilën ballafaqohemi sot janë politikat e gabuara të Qeverisë VMRO-DPMNE dhe BDI dhe të Kryeministrit Nikolla Gruevski. Kjo Qeveri me disa vendime dhe projekte monoetnike dhe monefetare ka dëmtuar shqiptarët, duke filluar që nga enciklopedia e cila ofendoi shqiptarët si komb e deri te ligji për regjistrimin e popullisisë i cili përjashton nga procesi i regjistrimit rreth 250.000 shqiptarë që përkohësisht jetojnë dhe punojnë në diasporë dhe në prill kur do të mbahet regjistrimi nuk kanë mundësi të jenë në vendlindje. Sa i përket situatës ekonomike, Qeveria aktuale në mënyrë të palogjikshe harxhon qindra miliona euro për buste, skulptura dhe ndërtesa luksi si pjesë e projektit “Shkupi 2014” në kohë të krizës dhe në kohë kur papunësia në vend arrin 34% dhe varfëria nivel rekord prej 31%, ndërsa mungojnë investimet e huaja dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Në rrafshin ndërkombëtar, kjo Qeveri ka devijuar nga kursi euro-atlantik dhe nuk arrin të zgjidh kontestin rreth emrin me Greqinë për të mundësuar anëtarsimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Përkundrazi, diplomacia e shtetit me një sy sheh drejt Rusisë dhe Lindjes e me syrin tjetër drejt Afrikës e Amerikës Latine, duke lidhur miqësi të ngushta me Bjellorusinë, Zimbabven e Bolivinë, shtete këto që nuk gëzojnë miqësi me Brukselin dhe Washingtonin. Kur flasim për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, tanimë është e qartë se kjo marrëveshjes Qeverisë aktuale i shërben vetëm si pamflet propagandues se kinse po punohet në atë drejtim, e në esencë mungon realizimi thelbësor dhe i drejtë i saj. Edhe sot, pas 10 viteve nga nënshkrimi i saj, ne nuk kemi përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit, nuk kemi ligj për familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe invalidëve nga konflikti i vitit 2001, kemi ligj të cunguar dhe kufizues për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, nuk kemi ligj për përdorimin e simboleve, veçanërisht të flamurit kombëtar, ndërsa decentralizimi i pushtetit si shtyllë shumë e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit ka marrë kahje të kundërt – shkon drejt centralizimit, pasiqë edhe projekti për ndërtimin e një ambulance apo shkolle në një komunë duhet paraprakisht të merr aminin e pushtetit qendror-Qeverisë. Mendoj se ky devalvim që i bëhet Marrëveshjes Kornizë nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dëmton rëndë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.


PRESHEVA JONE: Mund të flasim sot për diskrimnim të shqiptarëve në Maqedoni apo jo, nëse kemi parasysh dygjuhësinë, pastaj ceshtjen e simboleve kombëtare, të burgosurit shqiptarë etj..


IMER SELMANI:
Definitivisht sot shqiptarët e Maqedonisë ballafaqohen me diskriminim të aspekteve të ndryshme. Nëse marrim aspektin politik, mosimplementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit gjeneron diskriminim, pasiqë shqiptarët nuk shfrytëzojnë në kapacitet të plotë të drejtat që burojnë nga kjo Marrëveshje, duke filluar nga gjuha, simbolet e deri te parimi kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në administratën shtetërore. Nga ana tjetër, shumë i dëmshëm është diskriminimi ekonomik përmes miratimit të buxhetit të shtetit. Demokracia e Re në Parlament propozoi 400 amandamente për buxhetin e vitit 2011 për projekte infrastrukturore për vendbanimet shqiptare, por asnjë nuk u pranua nga shumica parlamentare VMRO-DPMNE dhe BDI. Nga këtu, ne inicuam dhe një prej kërkesave kyçe të DR-së për qeverisjen e ardhshme do të jetë instalimi i parimit të Badenterit ose votimit të dyfishtë gjatë miratimit të buxhetit në Parlament. Kjo do të thotë se pa votat e shumicës së deputetëve shqiptarë dhe të bashkësive etnike më të vogla nuk mund të miratohet buxheti i shtetit. Kur flasim për gjyqësinë, ajo është e korruptuar, e varur dhe nën ndikime direkte nga pushteti ekzekutiv. Kemi raste të shumta ku dënohen me burg shqiptarë të pafajshëm dhe vuajnë dënim pa bërë asnjë krim. Rast i njohur është ai i Sopotit, ku 11 shqiptarët vuajnë dënim me burg për plot 7 vite, edhepse Komisioni parlamentar i inicuar nga deputetët e Demokracisë së Re vërtetoi se gjatë procesuimit të rastit janë shkelur procedurat ligjore dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Këta njerëz edhe sot e kësaj dite po hecin në golgotën e dëshmimit të pafajësisë së tyre, mirëpo ajo që është e sigurtë është fakti se pushteti gjyqësor edhe më tej dënon dhe diskriminon mbi baza etnike, e çmimin më të madh fatkeqësisht e paguajnë shqiptarët.

PRESHEVA JONE: Këtyre ditëve partia juaj, qëndrimet e juja me rastin e terheqjes nga parlamenti maqedonas isht në epiqendër të mediave dhe politikës në këtë republikë dhe jashta saj.. Si erdhi deri tek ky vendim z.Selmani ?

IMER SELMANI: Demokracia në Maqedoni është në rrezik si kurrë më parë nga një mazhorancë dhe pushtet totalitar i cili e ka vendosur tërë shtetin në shërbim të grupeve të interesave të partive në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI. Kërcënimet, largimet nga puna, ndërprerja e ndihmave sociale për më të varfërit, punësimet vetëm të ushtarëve partiak, presionet dhe sankcionimet ndaj biznismenëve, qofshin më të vegjël ose më të mëdhenj, ngulfatja e mediumeve të cilat janë kritike ndaj pushtetit tanimë janë standard i punës i këtij pushteti totalitar. Edhepse janë të shumta dhe të gjithanshme, arsyet kyçe pse vendosëm të bojkotojmë Parlamentin janë: miratimi i Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ligj diskriminues dhe antishqiptar, i cili pamundëson regjistrimin e diasporës shqiptare nga Maqedonia; ndryshimet kushtetuese pa konsultim dhe pa konsenzus me opozitën, pa përfshirë edhe kërkesat e shqiptarëve përndryshime në gjyqësor ku ne si DR propozuam instalimin e votimit të dyfishtë në vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Republikan Gjyqësor dhe gjatë miratimit të buxhetit në Parlament; harxhimi joproduktiv i mjeteve buxhetore për luks në kohë krize dhe diskriminimi ekonomik që iu bëhet shqiptarëve perms buxhetit; vendosja e censurës në mediume dhe tendenca për heshtjen ose mbylljen e mediumeve me orientim kritik ndaj politikave katastrofale të Qeverisë; mosimplementimi dhe devalvimi i vlerave dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit; dhe bllokimi i procesit integrues në NATO dhe Bashkimin Evropian. Këtë vendim e sollëm pas konsultimeve disamujore me popullin, anëtarët, simpatizuesit e partisë dhe organet partiake.


DeR KERKON ZGJEDHJE TE REJA, TE PRAKOHSHME NE MAQEDONI

PRESHEVA JONE: Bazuar nga kjo situate, krize politike kerkoni ju zgjedhje të parakohshme parlamentare?


IMER SELMANI:
Absolutisht po. Jemi të bindur se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për daljen nga kjo krizë politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni. Ky pushtet totalitar dhe diktatorial duhet të mposhtet dhe të zëvendësohet nga një Qeveri e ardhshme e cila do të jetë më demokratike, thelbësisht multietnike dhe proevropiane, prioritet të së cilës do të jenë zgjidhja e çështjeve të hapura për shqiptarët, ringjallja e ekonomisë së vendit dhe thithja e investimeve të huaja dhe arritja e kompromisit me Greqinë që do të sillte integrimin e Maqedonisë në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarsim në BE.


PRESHEVA JONE: Po, për cka flet njëfarë enciklopedie e përpiluar nga akademia e shkenace maqedonase, pastaj rreth origjinës së Nënë Tereza, instalimi i simboleve dhe figurave shqipatre në sheshet e qyteteve në Maqedoni etj.. ?

IMER SELMANI: Para një viti, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë e cila mentor shkence ka Akedeminë e Shkencave dhe Arteve të Sërbisë publikoi një enciklopedi, ndërsa në përmbajtjen e saj u gjetën ofendime të rënda për shqiptarët e Maqedonisë të cilët i quan “ardhacak” dhe shqiptarët në përgjithësi si “njerëz të malit”, “njerëz zullumqarë dhe hajdutë” etj. Etiketime onfenduese dhe nënçmuese u gjetën edhe për krerët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ndërsa ajo që habiti opinionin ishin edhe trillimet dhe ofendimet për partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe NATO-n, të cilët Enciklopedia i përshkruante si “okupatorë, etj. Edhepse pas reagimeve mbarëshqiptare dhe të faktorit ndërkombëtar në Maqedoni, në opinion doli një informatë se enciklopedia do të tërhiqet, ajo sot e kësaj dite shitet në libraritë e vendit dhe vazhdon të ushqejë nacionalizmin antishqiptar në Maqedoni. Ky ofendim i shqiptarëve i promovuar në enciklopedi vazhdon të zbatohet në tekstet shkollore dhe materiale tjera propaganduese të shtetit, ndërsa së fundi kulminon edhe me ndërtimin e një kishe në Kalanë e Shkupit për të cilën ne si DR, por edhe myslimanët e Shkupit kanë reagur ashpër, duke e cilësuar projektin si atak mbi marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Maqedoni. Sa i përket origjinës së Nënës Terezë, është e vertetë se ka tendencë në kontinuitet për të fshehur përkatësinë e saj kombëtare si shqiptare dhe të prezantimit të saj si qytetare e Shkupit, ndërsa kjo ishte evidente edhe gjatë shënimit të 100-vjetorit të lindjes së saj vitin e kaluar, kur në të gjitha organizimet dhe aktivitetet institucionale u mohua dhe nuk u përmend ansjëherë origjina e saj.
 

NE INTERES TE SERBISE ESHTE NESE BEOGRAD NDAL NDEKJET E SHQIPTAREVE NE PRESHEVË


PRESHEVA JONE: Meqenëse Maqedonia është një  vend fqinjë ku kufizohet me Serbinë rrespektivisht me qytet e banuara me shqiptarë etnik si Presheva, Bujanoci dhe Medevegja. Si keni pritur ju denimin e nentë të rinjve shqiptare nga Presheva me 101 vjet burg nga një gjykatë serbe. Dhe mendoni se edhe shqiptarët  e Luginës duhet të përfshihen në dialogun ardhshëm mes Beogradit dhe Prishtinës ?

IMER SELMANI: Ju falemnderoj që më ofruat mundësinë që përmes kësaj interviste të shpreh keqardhjen time të thellë për dënimin e të rinjve shqiptarë nga Presheva me 101 burg nga gjykatat serbe. Është rëndë për ta kuptuar se si Sërbia edhe pas gjithë krimit të bërë në Kosovë e rajon nuk ngopet me dëmin ndaj shqiptarëve dhe vazhdon të keqtrajtojë ata duke i dënuar me burgje për raste të montuara nga qarqet sërbe. Bëj apel familjeve dhe qytetarëve të Luginës në përgjithësi të jenë të matur dhe me dinjitet t’i përballojnë këtyre tendencave serbe për të dëmtuar shqiptarët. Shpresoj se fati i këtyre djemve të rinj do të ndryshojë dhe drejtësia do të ngadhnjejë për t’I kthyer ata në gjirin e tyre familjar. Kurse, për dialogun e ardhshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, definitivisht Lugina duhet të përfshihet në këtë dialog sepse është pjesë e procesit. Në këtë drejtim, nuk guxon të anashkalohen shqiptarët e Luginës nga ky dialog sepse çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Sërbisë pa përfshirje të Luginës mund të jetë i dëmshëm për shqiptarët e Luginës të cilët edhe më tej do të vazhdojnë të ballafaqohen me pushtetin e vrazhdë sërb, do të diskriminohen deri në kanosje për shpërnguljen e tyre nga trojet e tyre shekullore.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni