TIRANE, 13 Mars/ATSH/(By ) – Takimi ndërmjet drejtorit të përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica  me ambasadoren e Kroacisë në Tiranë Sanja Bujas –Juraga, u fokusua fillimisht në mundësitë që ka media, e posaçërisht agjencitë e lajmeve në pasqyrimin e realiteteve në zhvillim të dy vendeve, por edhe në njohjen nga afër të historisë, traditave, kulturës, zhvillimit ekonomik, potencialeve turistike e të tjerë.Zoti Podgorica në fjalën e tij theksoi se komunikimi mes dy agjencive duhet ngrihet në nivel institucional, pasi krijohen hapësira që shkëmbimi i informacionit të jetë i vazhdueshëm  dhe në përgjigje të interesit që ka publiku i të dy vendeve.   Komunikimit shumë të mirë politik në mes të dy vendeve tona, vijoj ai, gjykoj se duhet t’i përgjigjet edhe një komunikim mediatik më i lartë.

Duke folur për njohjen nga afër të përvojës kroate në rrugëtimin e saj në BE, drejtori i ATSH-së tha se është me rëndësi njohja e kësaj përvoje, vështirësitë që ka hasur Kroacia dhe se nuk duhet dekurajuar kur përballë  shfaqen vazhdimisht sfida. Por kjo bëhet e mundur kur media bën prezent dhe konkretisht këtë rrugëtim dhe gjithë trajektoren e kësaj ecjeje.

Projekti i Shqipërisë drejt BE-së – tha gjatë bashkëbisedimit ambasadorja e Kroacisë në Tiranë, Shkëlqesia e Saj, Sanja Bujas-Juraga, është një projekt i rëndësishëm që megjithë vështirësitë që has, po ecën përpara. Kroacia është e gjitha në mbështetje të këtij projekti, jo vetëm politikisht, por edhe me përvojën e asistencën e saj.FOTO 1

Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve, ambasadorja nënvizoi se mundësitë për bashkëpunim janë të shumta, janë të identifikueshme, por duhen intensifikuar. Turizmi është një fushë në të cilën media duhet të luajë rol të rëndësishëm për të promovuar jo vetëm bukuritë që ofrojnë dy vendet, por edhe nismat që lindin e që duhet të jenë më të mëdha.

Sivjet- tha në vazhdim ajo, ne kemi edhe jubileun e 25 të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Kjo është një ngjarje e shënuar që do të pasohet nga veprimtari të ndryshme  kulturore, artistike, do të ketë dialog në mes palëve, takime në fushën e biznesit e të tjerë. Ky përvjetor është një rast më shumë jo vetëm për të marrë vëmendje mediatike, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën më tej edhe në situatën politike në vend dhe vëmendjen që kanë ambasadorët e BE-së për zhvillimet në Shqipëri, për dialogun politik, zgjedhjet e ardhshme, luftën kundër  drogës e të tjerë.

/a.g/

SHPËRNDAJE