zhbbbbPolitikanët në gjashtë muajt e fundit po merren vetëm me veten e tyre, e jo me ato që janë në interes të qytetarëve, ka thënë përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Ai ka theksuar se politikanët duhet të merren me ato çështje të cilat do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve.

Zhbogar, duke folur në një emision në televizionin publik të Kosovës në gjuhën serbe, ka thënë se tani që Kosova e ka zgjedhur presidentin e ri, i njëjti do të duhej të vazhdonte të kërkonte zgjidhje në dialogun politik mes qeverisë dhe opozitës.

“Qëllimi i tij kryesor do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha Zhbogar, transmeton Koha.net.

Sipas shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, gjendja momentale politike është brengosëse, ndërsa tha se kjo gjendje duhet stabilizuar.

“Dy marrëveshje, në njëfarë mënyre, e kanë përshpejtuar këtë polarizim ndërsa më pas, me gaz lotsjellës e me të gjitha aksionet policore, është përkeqësuar situata”, tha ai.

Zhbogar ka potencuar se Brukseli zyrtar dënon dhunën në Parlament dhe për të nuk ka justifikim, ndërsa ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk do të përzihet në marrëdhënien mes qeverisë dhe opozitës.

“Prishtina duhet që vetë të dëshmojë se mund ta zgjidhë krizën politike me të cilën po përballet tash më shumë se gjashtë muaj”, ka shtuar Zhbogar.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, , duke folur për asociacionin e komunave serbe, tha se vetëm dialogu do të mund të sillte zgjidhje për këtë çështje, pasi, sipas tij, serbët frikësohet se pa këtë asociacion nuk do të ketë mbrojte kombëtare, ndërsa shqiptarët frikësohen se AKS-ja do të pengojë integrimin e serbëve dhe do të ndante Kosovën.

“Nëse ka më shumë dialog dhe nëse palët do të flisnin më shumë, por edhe t’i dëgjonin të tjerët çfarë flasin, atëherë përmes këtij dialogu mund të themelohet asociacioni, në atë formë që serbët të jenë të kënaqur e të qetë se janë të mbrojtur mjaftueshëm, ndërsa në të njëjtën kohë të kuptojnë edhe shqiptarët se kjo nuk do të thotë ndarje e Kosovës”, vlerëson Zhbogar.

Më tej, Zhbogar bën thirrje që negociatorët të debatojnë më shumë rreth negociatave që zhvillohen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, si para, ashtu edhe pas përfundimit të raundeve. Ai kërkon më shumë transparencë nga ky dialog.

Ai ka konfirmuar se javën e ardhshme në Kosovë do të qëndrojë një mision teknik i BE-së i cili do të vlerësojë nëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, duke potencuar se është në dorën e udhëheqësve të Kosovës nëse qytetarët do të mund të udhëtojnë së shpejti pa viza në Evropë.

Samuel Zhbogar pret që gjykata speciale për krime lufte të qartësojë të gjitha pretendimet e raportit të senatorit Dick Marty, pasi që në të kundërtën, Kosova gjithmonë do të ndërlidhet me, siç ka thënë ai, “akuzat e tmerrshme të këtij raporti”.

“Kjo është një re e zezë mbi Kosovën, dhe vetëm kjo gjykatë mund ta largojë atë”, ka përfunduar Zhbogar.

SHPËRNDAJE