(AIK-Presheva Jonë)

 

SHBA-të nuk janë të kënaqura me kompetencat që ka misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Dokumentet më të reja të WikiLeaks zbulojnë shqetësimin e ish-ambasadores, Tina Kaidanow, me rolin pasiv dhe jo ekzekutiv të EULEX-it sidomos në veri, duke e akuzuar këtë mision se po lejon dhe toleron krimin në veri të vendit.

“Policët amerikanë janë të frustruar sa i përket qasjes “duart larg” dhe mungesës së autoritetit ekzekutiv kur veprojnë në terren. Zyrtarët policorë në Departamentin e Përforcimit, që operojnë në Mitrovicë dhe në pikat kufitare, për shembull, nuk kanë asnjë autoritet për të vënë ligjin në fuqi, apo të bëjnë arrestime kur shkelje kriminale të dukshme bëhen në prezencën e tyre. Ata vetëm mund të bëjnë aktivitetet e tyre MMA (Monitorim, Mentorim, Këshillim), dhe veprimi jashtë mandatit mund të bëjë që ndaj tyre të ndërmerren masa disiplinore. Kjo mund të ndodhë nëse ata i përgjigjen me forcë një individi të rrezikshëm që e kalon kufirin, sespe kjo shihet si ushtrim i jashtëligjshëm i autoritetit ekzekutiv. Si rezultat, EULEX-i refuzon t’i vë pjesëtarët e Deparamentit të Përforcimit në situata kur ata mund të veprojnë në vetëmbrojtje, e që ne mendojmë se prezenca ndërkombëtare në këso situatash do të ishte shumë e dobishme”, shkruan Kaidanow në komunikimin e saj zyrtar, transmeton portalin indeksonline një dokument të Wikileaksit.

Letra e saj shkoi në Washington më 8 prill 2009, dhe në të Kaidanow gjithashtu kritikoi Brukselin që po i bën presion Prishtinës dhe po e përkdhel Beogradin.

“Nëse EULEX-i, misioni më i madh dhe më ambicioz evropian deri më tash dëshiron të ketë sukses, duhet të bëjë progres në çështje kritike në veri, por ky progres mund të arrihet vetëm nëse Brukseli bën presion të njëjtë si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, në vend që të bëjë lëshime për kërkesat politike të Beogradit dhe t’i injorojë ato të Prishtinës”, përfundon diplomatja.

SHPËRNDAJE