Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, sa herë që i ka pasur punët keq brenda në Serbi, e ka përdorur temën e Kosovës për të ushqyer dhe mbajtur gjallë elektoratin e tij nacionalist në Serbi. Vuçiq teksa luante rolin e viktimës së mbështetur për muri, publikut serb i fliste se si po bën çdo gjë të mundur për të luftuar për Kosovën dhe se si e ka shumë të vështirë një gjë të tillë si rezultat i presionit të madh perëndimor.

Megjithatë kreu i Serbisë s’ka vepruar njëjtë kur i është drejtuar popullit serb sot me një tekst autorial, e në të cilin ka paraqitur planet e tij se si e sheh Serbinë deri në vitin 2025, tekst ky i publikuar në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet serbe që do të mbahen më 4 prill.

Në këtë tekst të publikuar në “Blic”, Vuçiq ka folur vetëm për temat sociale, pensionet dhe planet e tij se si do të zhvillojë ekonominë, të krijojë vende të reja të punës dhe të përmirësojë infrastrukturën serbe.

Vuçiq tekstin e tij e ka nisur duke u ankuar për qeveritë e kaluara, edhe pse ka më shumë se 8 vite që është në pushtet në Serbi.

Presidenti serb ka thënë se qeveritë e kaluara ia kishin lënë Serbinë me një ekonomi të rrënuar, ku në fabrika më i zakonshëm ishte dryni se sa të shihje punëtorët e makinerive.

“Na lanë një vend ku papunësia ishte në maksimum dhe rrogat dhe pensionet në minimum. Ata na lanë një buxhet të zbrazët të shtetit në të cilin nuk kishte para as për pagesën e pensioneve njëmujore”, ka thënë Vuçiq.

Derisa ka vazhduar duke treguar se si me të në pushtet ka ndryshuar për të mirë.

“Republika e Serbisë në ditët e sotme është shtet i fortë dhe stabil, faktor paqeje dhe stabiliteti, vend i vinçave dhe ngritësve, fabrikave të reja dhe vendeve të reja të punës. Sot në Serbi nuk flitet më se kur do të jetë më mirë. , por çfarë tjetër mund të bëjmë për të përmirësuar më tej cilësinë e jetës së qytetarëve të saj”, ka thënë tutje Vuçiq për në shkrimin e tij autorial për “Blic”.

SHPËRNDAJE