Një komando shqiptar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, pasi janë ndodhur në mes të një konflikti të armatosur ditën e hënë në provincën e Kandaharit, në Afganistan.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes, sipas të cilës dy ushtarakët janë Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve. Ky i fundit ndodhet në gjendje kome.

Sipas një komunikate për shtyp, komandot shqiptarë janë sulmuar në orën 15:05 me orën lokale nga një grup personash të veshur me uniforma të policisë afgane, teksa shoqëronin personelin e një misioni të USAID në një takim në fshatin Robot në Kandahar.

Në njoftim saktësohet se ndaj tyre është qëlluar me armë automatike të tipit “Kallashnikov” dhe me një mitraloz të lehtë dhe se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një ushtar nga vendet aleate.

Dy ushtarët kanë marrë plagë të rënda dhe njëri prej tyre ka ndërruar jetë pak më vonë në një spital të Kandaharit, ndërsa tjetri ndodhet në rrezik për jetën. Ndërkohë, grupi në detyrë ka arrestuar 11 atentatorët të maskuar si agjentë.

Përmes njoftimit mësohet se personeli i USAID po shkonte në disa takime, ku do të përuroheshin dy shkolla dhe një qendër shëndetësore në fshatin Robot.(TCH)

SHPËRNDAJE