Dy partitë fituese të zgjedhjeve të 5 qershorit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë nisur kontaktet e para për bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar.

Siç bëjnë të ditur burime pranë BDI-së për INA, krerët e partisë shqiptare kanë përgatitur platformën dhe kërkesat me të cilat do të paraqiten në negociatat për formimin e koalicionit qeveritar.

Brenda ditëve të ardhshme pritet edhe takimi i parë midis liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Siç merret vesh nga burime partiake, partia shqiptare është dakorduar me disa pjesë të programit të VMRO-DPMNE që kanë të bëjnë me planin ekonomik dhe social, ndërsa ajo pritet që të përfshijë edhe platformën e saj.

Gjithashtu bëhet e ditur se BDI do të kërkojë përfshirjen e kërkesave të saj në kuadër të prioriteteve të Qeverisë së re, siç janë zhbllokimi i proceseve evrointegruese përmes zgjidhjes së kontestit të emrit, implementimi i shpejt i pjesëve të ngelura dhe kontestuese të Marrëveshjes së Ohrit, mbyllja e rasteve të Hagës si dhe kërkesa të tjera që kjo parti i pati si pjesë të platformës parazgjedhore. Në kuadër të negociatave BDI do të kërkojë edhe postin e kryetarit të Parlamentit si dhe ministri më të rëndësishme në kuadër të Qeverisë.

Në zgjedhjet e 5 qershorit, VMRO-DPMNE ka fituar 56 deputetë, ndërsa BDI 15 deputetë. Formimi i Qeverisë duhet të ketë një maxhorancë prej 61 deputetëve, ndërsa koalicioni i ri pritet të ketë 71 deputetë nga 123 sa numëron Parlamenti i Maqedonisë.

SHPËRNDAJE