Vjehrri plagos dhëndrin në lokal, i dhunonte vajzënNjë pronar lokali në Shkodër plagos dhëndrin me tre plumba pistolete. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin verior. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë me dije se 35-vjeçari Nikolin Nika ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Ndërkohë, është vënë në pranga autori i krimit. Mësohet se, plagosja është kryer në ambientet e lokalit “Dubai” në hyrje të qytetit të Shkodrës. Ngjarja është komentuar edhe më shumë në qytet, pasi vjehrri bashkë me dhëndrin kanë qenë bashkëpronarë të këtij lokali. Sipas hetuesve të çështjes, 57-vjeçari Tom Ndoi, paraditen e djeshme kishte nisur t’i kërkonte llogari dhëndrit për keqtrajtimin që i bënte së bijës. Sherret mes çiftit dhe keqtrajtimi sistematik i vajzës nga Nika, ka acaruar Ndoin. Në debat e sipër me dhëndrin, pronari i lokalit “Dubai”, ka nxjerrë pistoletën që mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e plagosur rëndë. Viktima (baba i dy fëmijëve) është dërguar urgjentisht në spital, ku i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkohë, blutë kanë shkuar në vendngjarje dhe pasi kanë kryer veprimet e para hetimore kanë vënë në pranga Tom Ndoin. Burimet e mësipërme sqarojnë se, autori i krimit nuk është larguar nga vendi i ngjarjes por ka pritur policinë në lokal.

Gjatë marrjes në pyetje 57-vjeçari është shprehur se, “unë thjesht kam dashur ta tremb dhëndrin. Nuk e di as vetë si u shkreh arma. Është e vërtetë se isha shumë i nxehur”. Ndoi është dërguar në qelitë e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, ndërsa pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e këtij rrethi të vendosë masën e sigurisë ndaj tij për akuzat “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” si dhe “armëmbajtje pa leje”

SHPËRNDAJE