téléchargementKimete Berisha –Babo-babo, flasin politikanë e gazetarë shqiptarë për idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë, si me qenë kryeçetnikë të Serbisë.

Deri edhe Atifete Jahjagës i ka pas ardh dita me quajt idenë e bashkimit shqiptar, si ide të shekullit të kaluar.

Ide e shekullit të kaluar oj zojë ishte edhe ideja për zbulimin e rrymës, zbulimin e poqit elektrik, zbulimin e telefonit…

Ide e dhjetra shekujve të kaluar ishte edhe ideja për Zotin.

E, për t’ia dhënë vulën ‘primitivizmit’ të atyre që mendojnë se bashkimi kombëtar është ‘ide e mirë’ e citojnë Ismail Kadarenë, i cili e quan këtë ide ‘gogol’.

Ama nëse kjo ide do të realizohej, ai do të dinte t’i binte pishman, qysh e ka zanat ta rishkruaj biografinë e tij, siç e shohim duke i tërhequr fjalët për secilin njeri që i ka thënë, përveç për Enver Hoxhën, që i kishte kushtuar vjersha lirike e intime, si me pas qenë Xhulijeta e tij.

Nëse Albin Kurti krejt çfarë flet e ka keq, veç kur flet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e ka mirë.

Bashkimi kombëtar, nuk është më vetëm nevojë patriotike, por kjo ide duket të jetë e vetmja mënyrë për të mbijetuar.
E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga zhbërja ky vend i korruptuar dhe i kriminalizuar.

Pra, bashkimi kombëtar është nevojë për të mbijetuar, nuk është më vetëm nevojë patriotike.

Pra, një vend i vogël dhe i varfër si Kosova, që mbahet peng nga disa familje të pushtetshme, ku prej çerdheve të fëmijëve e deri në institucionin e fundit, çdo gjë është e korruptuar, dhe ku nuk ka drejtësi për të varfrin, për të ligun e për të pakrahun, vetëm bashkimi me Shqipërinë ndoshta do ta shpëtonte këtë vend.

Por, njëherë për njëherë s’kanë çka mërziten ata politikanë dhe ata gazetarë shqiptarë që natë e ditë punojnë për bashkim me Serbinë, sepse sot ti e ke gati të pamundur ta gjesh një shok në Shqipëri, e lëre më të bashkohesh si shtet me ta.

Nuk të duan. Nuk të pranojnë. Hiç mos u tut.

Ani kur i dëgjon socialistat e mykur kah e thërrasin njani tjetrin shokë dhe shoqe, haj ku-ku nanë…në një vend ku njeriu nuk ka kurrëfarë vlere, as nuk mund të ketë shokë, nëse nuk ka pare. Në një vend ku paraja është Zot.

SHPËRNDAJE