Përmes një reagimi të ashpër sot ambasadori amerikan, Richard Grenell iu përgjigj Albin Kurtit, se nuk pranon masa gjysmake. Për diçka të ngjashme, e paralajmëroi Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, pak javë më parë, shkruan Gazeta Metro.


Kadri Veseli më 7 shkurt i kishte konfirmuar Grenellit se Kurti kishte bërë fushatë ndaj propozimit të tij për tarifat, duke e quajtur atë madje edhe gënjeshtar.

‘I dashur ambasador, Albin është një gënjeshtar! Propozimi im për tarifat është shumë i qartë që nga janari i vitit 2019. Albini nuk e mbështeti atë dhe bëri fushatë kundër tij. Unë jam i shqetësuar me nxitimin e qeverisë së re që të merren me këtë çështje pa një plan konkret që i vë interesat më të mira të Kosovës në ballë’, kishte shkruar kreu i PDK’së në Twitter.

Një plan shumë të ngjashëm e paraqiti sot Kurti, si propozim i tij për heqjen e taksës.

Mirëpo ndaj kësaj, reaguan ashpër SHBA’të të cilat konsiderojnë si Kryeministri i Kosovës po bën gabim serioz dhe se kjo sot iu kumtua edhe Presidentit Thaçi në ‘Shtëpinë e Bardhë’.

“Nuk i përkrahim masat gjysmake të Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është shumë i qartë: taksat duhet të hiqen krejtësisht. Z. Kurti po bën gabim serioz – dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.

Kujtojmë se Kurti sot ka propozuar që taksa 100 përqind të hiqet pjesërisht më 15 mars, ndërsa e njëjta mund të largohet plotësisht më 1 prill nëse Serbia ndal fushatën me çnjohjet ndaj Kosovës.

Këtë vendim, Kryeministri i vendit e ka marrur pa u konsultuar me partnerin e tij qeverisës në koalicion LDK’në si dhe aleatin më  të madh të Kosovës, SHBA’në.

SHPËRNDAJE