Presidenti i Serbisë pritet të organizojë një tubim në Beograd me datën 26 maj.
Lidhur me këtë, Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se grupet kriminale serbe po përpiqen që t’i detyrojnë serbët e Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e organizuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
“Po përgatiten listat e të gjitha personave që do të udhëtojnë, po merren me qira gjithë autobusët në dispozicion në veri të Kosovës, pushime vjetore të anuluara të punëtorëve. Kanë urdhëruar institucionet që të rishikojnë të gjitha lejet që u janë dhënë punëtorëve në terren dhe po ashtu të gjitha objektet shëndetësore janë paralajmëruar të mos miratojnë pushime mjekësore. Detyruan të gjitha furrat e bukës të përgatisin pako ushqimore për njerëzit që udhëtojnë në Beograd, ndërsa detyruan të gjitha shtypshkronjat të përgatisin materiale për tubime”, ka shkruar Vela.
Vuçiq ka paralajmëruar se zgjedhjet në Serbi do të mbahen më së voni në shtator dhe se për këtë do t’i informojë qytetarët më 26 maj.