Ballina Opinione VAR-i poli(e)tik: Fushata digjitale dhe “dashuria” që zgjat 30 ditë

VAR-i poli(e)tik: Fushata digjitale dhe “dashuria” që zgjat 30 ditë

0

Fushatë në kohë pandemie. Akti i dytë.

Jo më shumë se nëntë muaj më parë, kur në vendin tonë kishte qindra raste të infektuarish me koronavirus, partitë politike mblidhnin qindra njerëz në ambiente të mbyllura, për t’ua kërkuar votën në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.

Nuk bënë punë as thirrjet e institucioneve shëndetësore, që të mos rrezikohej shëndeti i qytetarëve; partitë politike po e shkelnin Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së Covidit-19.

Fundja, ç’rëndësi kishte infektimi i mijëra njerëzve, krahasuar me peshën dhe vlerën e naltmadhnisë së saj – votës.

Epilogu i asaj fushate tashmë dihet. Në kutitë e votimit peshën e njëjtë e kishin të gjitha votat, si ato që u hodhën nga të infektuarit, si ato të atyre Covid Free.

Vetëvendosja e Albin Kurtit korri “frutat” e fushatës në kohë pandemie, duke e materializuar votën e qytetarëve duke u shpërblyer me pushtet absolut. Askush s’po e quan Covid Qeveri.

Gjashtë muaj më vonë korrëm edhe ‘frutat’ e hapjes së pamenduar. Erdhën edhe bashkatdhetarët na u bashkuan në Covid Fest. Mijëra të infektuar dhe dhjetëra të vdekur në baza ditore.

Në kulmin e pandemisë, kur varianti Delta po bënte kërdinë, nisën debatet nëse duhej shtyrë zgjedhjet lokale.

Dhe, siç jemi të (pa)kujdesshëm e të (pa)përgjegjshëm për shëndetin tonë dhe të qytetarëve tanë, në nivele politike nuk kishte shumë shqetësime për vazhdimin e përhapjes së pandemisë, por për sondazhet.

Derisa partisë në pushtet – pas qindra të vdekurve e mijëra të infektuarve brenda dy muajsh – i ra ndërmend se mbajtja e zgjedhjeve (fushatës) do të vazhdonte të shkaktojë infektim edhe më masiv, partitë opozitare këmbëngulën në mbajtjen e zgjedhjeve. Opozita fuqishëm e kundërshtoi shtyrjen e zgjedhjeve me motivacion se partia në pushtet po e kërkon këtë pasi e ka të qartë (në bazë të sondazheve) se do të humb në këto zgjedhje. Punë e madhe pse po vdesin njerëzit (Zoti ua ka shkrue).

Dhe, presidentja, si institucion unifikues që është, përfilli qëndrimin e opozitës dhe nuk ndërmori asnjë  veprim për shtyrjen e zgjedhjeve.

E, tash? Grahni fushatës!

Disa parti thonë se do të fokusohen në fushatë online (digjitale). Dikush thotë se do të bëjë veç pesë ditë fushatë.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim.

Por, krejt këto çka thonë partitë politike, por edhe thirrjet e IKSHPK-së, do të mbesin vetëm fjalë.

Fushata ka filluar kaherë. Kandidatët për kryetarë komunash, nuk pushojnë duke organizuar tubime nëpër oda e ambiente të tjera të mbyllura. Veç, mos harroni t’i lëshoni perdet!

Atyre tash do t’iu bashkëngjiten edhe liderët partiakë, për t’i bindur qytetarët se kandidati i tyre është i duhuri.

Dhe, jo vetëm kaq.

Si gjithmonë do të premtojnë zhvillim ekonomik të komunave, arsim më të avancuar, shërbime shëndetësore të modelit perëndimor, infrastrukturë moderne …

Natyrisht se as premtimet për punë s’do të mungojnë. Por, nuk do t’u thonë se për një vend pune duhet pritur të pensionohet (apo ruana Zot, të vdes) një mësues, një infermier/e, një shërbyes civil në Komunë, apo në ndonjë institucion tjetër …

Ata, qytetarët, do t’i hapin sy e veshë, në pritje të premtimeve për vende pune. Janë ngopë asfalt, trotuare, kanalizim e drita. Ato nuk hahen. Janë ngop edhe me premtime për luftimin e hajnisë, për qeverisje të pakorruptuar e pa nepotizëm …

Nejse! E mira e tërë kësaj është se njerëzit po vaksinohen.

Pa dëshmi vaksinimi nuk do të mund të hyni në institucionet ku punoni. Bile është paralajmëruar se pa dëshmi të tilla nuk do të lejohet hyrja as nëpër qendra tregtare, restorante e gjetiu …

Por, as test, as dëshmi vaksine nuk do t’iu kërkojnë për të hyrë në oda e salla të fushatës.

Nuk do t’ju mjaftojnë premtimet digjitale (online) nëpër rrjete sociale.

Në premtime s’ka dietë, as kandar. Të gjitha i ha pazari. I ha edhe votuesi juaj besnik.

Prandaj, shkoni ju gurmanët e premtimeve! Ngopuni me premtime megalomane – live!

Fundja, ç’rëndësi ka nëse në këto tubime do ta merrni  virusin e do të pësoni vet, ose familjarët tuaj. Rëndësi ka të përmbusheni shpirtërisht, të takoni liderët tuaj nga afër. Të tillë ju  duan ata. Me ose pa maska, do t’ua shtrëngojnë duart dhe do t’u përqafojnë.

Një “dashni” që zgjatë veç 30 ditë.

SHPËRNDAJE