​Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot akademi përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së ish-kryeministrit të dalë nga zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë, Bajram Rexhepi.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Kosovës, ish-Kryetarit të Mitrovicës, Ministrit të Brendshëm, Deputetit, Mjekut humanist, veprimtarit politik, pjesëmarrësit të Luftës Çlirimtare, Doktor Bajram Rexhepit.

Të nderuar të pranishëm,

Bajram Rexhepi ishte një personalitet me kontribut shumëdimensional, jo për shkak të pozitave të larta shtetërore që i kreu me përgjegjësi, por për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, në shërbim të çështjes kombëtare, në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Pas kontributit si mjek në frontet e luftës çlirimtare, Bajram Rexhepi u konsiderua personaliteti më adekuat për të qenë Kryeministër i Kosovës menjëherë pas luftës.
Ai si kryeministër, së bashku me Presidentin Rugova dhe Kryeparlamentarin Daci, udhëhoqën tri institucionet kryesore të Kosovës në fazën e parë të ndërtimit të institucioneve, duke u ballafaquar me sfida, siç ishin protestat e Marsit 2004.
Më tej, Bajrami ishte deputet i Kuvendit si dhe me votën e qytetarëve, u zgjodh për të udhëhequr qytetin më të ndjeshëm të Kosovës, Mitrovicën e tij të dashur, që e deshi dhe për të cilën u mundua që të jap kontributine tij maksimal.
Bajram Rexhepi ishte bartës edhe i pozitave të tjera shtetërore, por mbi të gjitha ishte personalitet i rëndësishëm politik dhe njeri me autoritet të madh në Kosovë.

Të nderuar miq të Bajram Rexhepit,

Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë.
Për ne që e njohëm dhe punuam me të në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbahet mend si politikan që e mban fjalën dhe të cilit mund t’i besohej, konstruktiv, i dijshëm, bashkëpunues dhe korrekt.
Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme  në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtetndërtimit tonë.
Si kryeministër dhe si deputetë, si ministër i Punëve të Brendshme dhe si kryetar i komunës që në mënyrë më karakteristike bart gjurmët e luftës së fundit në Kosovë, si mjek dhe humanist në luftë dhe në paqe, si njeri që kapërceu bindjet e tij politike për të komunikuar dhe gjetur bashkëpunim në fillet e ndërtimit të shtetit të Kosovës, njeri që e deshi jetën, familjen e vet dhe vendin e tij.
Andaj, ndarja nga jeta e Bajram Rexhepit është humbje e madhe për Familjen, për miqtë, për bashkëveprimtarët dhe para së gjithash, edhe për Kosovën.
Por, shoqëria dhe shteti ynë do ta kujtoj përherë dhe t’i jetë përherë mirënjohës Bajram Rexhepit për kontributin që ai ka dhënë për Kosovën gjatë gjithë jetës së tij.

Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti presidenti Hashim Thaçi.

Në emër të familjes, foli vajza Vanesa Rexhepi, e cila falënderoi institucionet shtetërore për angazhimin dhe përkushtimin në trajtimin e sëmundjes së tij, shtetin turk që ndihmoi në trajtimin spitalor, si dhe qytetarët e Kosovës për mbështetjen e dhënë familjes gjatë kësaj kohe.

“Në këtë akademi përkujtimore, në nderim të më të dashurit tim, babit tim, Dr. Bajram Rexhepi, edhe pse e pikëlluar dhe e katandisur nga dhimbja për vdekjen e tij, do të përballojmë pikëllimin me krenarinë që na la trashëgimi, me personalitetin e tij prej një punëtori, humanisti dhe trimi të madh.
Virtytet e tij të lara, dashurinë, sinqeritetin, butësinë, do t’i ruajmë dhe do t’i kultivojmë me përkushtim për breznit e reja. Në emër të familjes time, në emër të familjes Rexhepi, falënderoj përzemërsisht institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës për angazhimin maksimal dhe përkushtimin dhe trajtimin gjatë kohës së sëmundjes së tij, e veçanërisht për organizimin e kësaj akademie përkujtimore”, tha ajo.

SHPËRNDAJE