U konstituua Kuvendi i ri i Maqedonisë. Në bazë të marrëveshjes ndërmjet dy partive fituese të zgjedhjeve, posti i kryeparlamentarit do t’i takojë partisë maqedonase, VMRO-DPMNE, ndërsa partia shqiptare, BDI, në Qeverinë e re do të ketë dy poste të zëvendëskryeministrave, pesë ministri, në mesin e të cilave edhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Me votat e 121 deputetëve të pranishëm është konstituuar Kuvendi i ri i Maqedonisë, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit.

“Konstatoj se raporti dhe propozimi i Komisionit verifikues është miratuar dhe me këtë është bërë edhe konstituimi i Kuvendit “, tha Lubisav Ivanov, i cili, në cilësinë e deputetit më të moshuar, udhëhoqi seancën konstituive.

Për herë të parë, mandati iu verifikua edhe tre deputetëve të zgjedhur nga diaspora.

Ndërkohë, posti i kryetarit të Kuvendit, i mbetet sërish VMRO DPMNE-së, pasi nuk u arrit marrëveshje që ky post t’i takoj Bashkimit Demokratik për Integrim, që do të jetë partner i VMRO-së edhe në Qeverinë e re.

Nga BDI-ja, disa herë kishin njoftuar se nuk do të heqin dorë nga posti i kryeparlamentarit, por për shkak të këmbënguljes së partisë së Nikolla Gruevskit dhe, siç thuhet, lëshimeve të saj për disa çështje tjera të programit të ri qeveritar, nga partia e Ali Ahmetit janë pajtuar që ky post të mos drejtohet nga një kuadër shqiptar.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim njoftuan arritjen e marrëveshjes me VMRO DPMNE-në për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re.

Në ekzekutivin e ri, BDI-ja do të këtë dy poste të zëvendëskryeministrave, njërin të angazhuar për çështjen e euro-integrimeve dhe tjetrin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Edhe në të ardhmen BDI-ja do të drejtojë pesë ministri, ndërsa risi janë udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Drejtësisë, kurse tri të tjerat, janë Ministria e Pushtetin Lokal, Ekonomisë dhe Ekologjisë, të cilat i kishte drejtuar edhe në mandatin e kaluar qeveritar.

Po ashtu, Bashkimi Demokratik për Integrime do të ketë edhe katër zëvendësministra; në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Financave, Arsimit dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Kësaj partie, sipas marrëveshjes, i takuan pesë sekretarë shtetërorë në ministritë tjera ku nuk është e përfaqësuar në nivel të ministrit apo zëvendësministrit.

Kjo marrëveshje mori edhe miratimin e Kryesisë qendrore të partisë, ndërsa për emrat që do të caktohen në këto poste, do të vendoset në mbledhjen e radhës të organeve partiake.

Sipas Kushtetutës, Qeveria e re duhet të votohet më së voni deri më 10 gusht, por bazuar në dinamikën e arritjes së marrëveshjes për ndarjen e posteve ministrore, programi i punës dhe përbërja e re qeveritare, pritet të votohen më herët se afatet ligjore.

SHPËRNDAJE