Faruk Fatih Özer është arrestuar sot nga policia shqiptare në një plazh në jug të Shqipërisë.

Özer u arratis nga Turqia me 2 milardë dollarë në kriptomonedha pasi kishte mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, e cila shpalli falimentin.

Sipas mediave turke, prokuroria ka kërkuar deri në 40 mijë vite burg për super mashtruesin e monedhave virtuale.

27-vjeçari është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon.

Ai ishte arratisur nga Turqia në prill të vitit 2021 dhe jetonte në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.

Faruk Özer jetonte në një banesë më qira. Bashkë me të është arrestuaredhe nipi i Armando Dukës, Edevaldo Haxhiu, i cili shoqëronte dhe fshihte turkun.

Por kush është Faruk Fatih Özer dhe për çfarë akuzohet?

Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, e cila shpalli falimentin. Ozer është larguar nga Turqia me 2 miliard dollar në kriptomonedha duke humbur të gjitha gjurmët.

Në Shqipëri ishte futur nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ndërkohë që dolën dhe pamje filmike nga momenti kur ai u akomodua në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.

Ndërkohë përmes një postimi në Twitter Ozer mohoi asokohe akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh.
Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik.

Kujtojmë se Prokuroria turke ka mbyllur  ne prill të këtij viti dosjen hetimore në ngarkim të bosit të kompanisë së kriptomonedhave “Thodex” Faruk Fatih Ozer duke e çuar atë në gjykatë.

Si u zbulua skema e mashtrimit?

Në prill të vitit të kaluar, Ministria turke e Drejtësisë nisi procedurën për kërkimin me njoftim të kuq dhe ekstradimin nga Shqipëria për Fatih Faruk Özer.

Prokuroria e Stambollit filloi më 22 prill një hetim pas lajmeve se ai ishte arratisur jashtë vendit duke mashtruar investitorët në shumën prej 2 miliardë dollarë.

Në këtë kuadër, Gjykata e Stambollit dha urdhrin e arrestit ndaj Özer për akuzat “mashtrim duke përdorur si mjet sistemet teknologjike, bankat ose institucionet e kredisë dhe formim të organizatës me qëllim kryerjen e krimit”.

Me udhëzim të Prokurorisë u krye kontroll në vendin e punës dhe u morën masa ndaj llogarive bankare të të dyshuarit.

Ministria e Brendshme, në një shkresë më 22 prill 2021, konfirmoi se Özer ka udhëtuar nga Aeroporti i Stambollit drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës në Shqipëri dhe se ndodhet në këtë vend.

Në këtë kuadër, Prokuroria i përcolli Ministrisë së Brendshme dokumentet e nevojshme me qëllim për publikimin e (buletinit) njoftimit të kuq ndaj Özer.

SHPËRNDAJE