Lubisha Tumbakoviq, selektori i Malit të Zi, e ka bërë kapiteni të skuadrës sulmuesin kosovar, Fatos Beqiraj
Në kohën kur Kosova është në pritje të pranimit në UEFA e FIFA dhe kur Përfaqësuesja e Kosovës është para debutimit në arenën ndërkombëtare, një tjetër futbollist kosovar ka bërë histori në një përfaqësuese tjetër.
Sulmuesi prej më të mirëve që ka nxjerrë Kosova, Fatos Beqiraj, të enjten mbrëma ishte kapiten i Përfaqësueses A të Malit të Zi në futboll. Beqiraj 27-vjeçar ka mbajtur shiritin e kapitenit në ndeshjen miqësore që Mali e Zi e humbi 2:1 nga Greqia në udhëtim.
Vetë fakti që sulmuesi nga Peja është zgjedhur kapiten për këtë takim, dëshmon për statusin që e ka ai në Përfaqësuesen e Malit të Zi, shkruan Koha Ditore.
Kjo ndeshje është vlerësuar si një fillim i ri për Malin e Zi. Në postin e përzgjedhësit ka debutuar serbi i njohur Lubisha Tumbakoviq që menjëherë nderoi Beqirajn.
Në fakt, Malit të Zi në këtë takim i munguan katër lojtarë të rëndësishëm dhe zgjedhja e Beqirajt vlerësohet e përkohshme.