Në një moment kur Kosova po përkujton njërën nga datat më të rëndësishme të historisë së saj, Epopenë e UÇK-së, kur një popull kujton sakrificën për lirinë dhe shtetin e tij, një djalosh nga Malisheva, që mbante shiritin e kapitenit të Kombëtares U21 të Kosovës, ka vendosur ta kthejë shpinën. Etnik Brruti, një futbollist që mori gjithçka nga Kosova – u rrit, u zhvillua, u promovua dhe iu dha besimi i të qenit kapiten i një ekipi që përfaqëson një shtet të ndërtuar mbi gjakun e atyre që nuk e tradhtuan – tashmë ka zgjedhur ta braktisë Kosovën për Shqipërinë.

Por pse pikërisht tani?  Shqipëria, e cila e ka poshtëruar Kosovën duke bërë aleancë me shtetin që ende mohon ekzistencën e saj, që arreston shqiptarë me fletarrestet e Millosheviqit, që kërkon ndalimin e futbollistëve kosovarë në garat evropiane, po hap dyert për “talente” që e braktisin Kosovën për një shans për të luajtur në një turne ku flamuri serb do të valojë krah për krah me atë shqiptar. Dhe Brruti po vrapon drejt asaj skene, duke shkelur mbi shiritin e kapitenit të Kosovës U21 sikur të ishte një leckë e pavlerë.

Po të kishte pasur Kosova djem si Etnik Brruti në 1998, a do të ekzistonte sot?

Ky akt nuk është vetëm një zgjedhje sportive – është një mesazh i qartë dhe i turpshëm. Po sikur Kosova në vitin 1998 të kishte pasur djem si ky, që e braktisin vendin e tyre në momentet kyçe? A do të kishte sot një Kosovë të pavarur apo do të ishte veç një “Shumadi” serbe? Lufta për këtë shtet nuk u bë me njerëz që ndërronin anë sipas interesit të radhës, por me ata që besuan dhe qëndruan deri në fund. Kosova nuk ka nevojë për ata që e shohin përfaqësimin e saj si një mundësi kalimtare, por për ata që e shohin si një nder.

Nëse një djalosh nga Malisheva, që është rritur, edukuar dhe promovuar nga Kosova, e tradhton atë kaq lehtë, si mund të presim që talentet shqiptare në diasporë të ndihen të motivuar të luajnë për Kosovën? Si mund të ndërtojmë një kombëtare të fortë, kur shembulli që u jepet të rinjve është ai i një lojtari që zgjedh të largohet, duke u sjellë si futbolli të ishte thjesht një treg i hapur ku mund të ndërrosh fanellën sipas ofertës më të mirë?

Djemtë e Preshevës e ëndërrojnë këtë fanellë, e Brruti e shkel atë

E turpshme është edhe mënyra sesi disa shqiptarë sot shkelin mbi sakrificën e shqiptarëve të Kosovës. Në Luginën e Preshevës ka qindra futbollistë të talentuar, të cilëve Serbia ua ka shuar ëndrrën, sepse për ta është e ndaluar të bëhen pjesë e arenës ndërkombëtare. Ata ende vuajnë përvojën e brezave të mëparshëm kosovarë, të cilëve u mohohej gjithçka nga shtypja e regjimit serb. Dhe sot, një djalë nga Malisheva, që pati të gjitha mundësitë që këta të rinj nuk i kanë, zgjedh ta nëpërkëmbë fanellën e Kosovës dhe shiritin e kapitenit, që do të duhej të ishte po aq i shenjtë sa emblemën e UÇK-së e kanë bartur dikur me krenari ata që dhanë jetën për këtë vend.

Kosova nuk është thjesht një kombëtare futbolli – është një kauzë, një qëndrim, një përkushtim. Dhe ata që e përfaqësojnë duhet ta kuptojnë këtë. Nëse për dikë nuk ka rëndësi, atëherë është më mirë të largohet, sepse Kosova nuk ka nevojë për djem që e shesin besnikërinë për një pasaportë tjetër.

Presidenca shqiptare – hipokrizia e pasaportave të dhuruara

Dhe këtu vjen një çështje edhe më e madhe: roli i shtetit shqiptar në këtë skemë të heshtur dëmtuese për Kosovën. Nuk është hera e parë që Shqipëria, në vend që të ndihmojë Kosovën siç e ka detyrim kushtetues, po e dobëson atë duke përdorur mundësinë e dhënies së pasaportave për të marrë futbollistët më të mirë të saj.

Pse Shqipëria, që në Kushtetutë e ka të shkruar se duhet të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të saj, nuk po vepron në këtë mënyrë për kosovarët, por po e keqpërdor këtë mekanizëm për të marrë talentet e Kosovës? Pse pasaportat e Shqipërisë jepen lehtësisht për të dëmtuar Kosovën, ndërsa për raste të gazetarëve të përndjekur nga Serbia apo shqiptarë që ndodhen në rrethana të vështira, ka refuzime të njëpasnjëshme?

Kjo nuk është më vetëm një çështje futbolli. Kjo është një lojë e hapur kundër Kosovës, e dirigjuar nga një mendësi që në vend të bashkojë, e dëmton atë që është ndërtuar me gjak dhe sakrificë. Dhe nëse dikush si Etnik Brruti e pranon këtë lojë dhe bëhet pjesë e saj, atëherë le të shkojë – Kosova nuk ka nevojë për djem që shesin veten për një vend në formacionin e Shqipërisë.

Historia do ta mbajë mend gjithmonë se Kosova është ndërtuar nga ata që qëndruan, jo nga ata që tradhtuan. Dhe për këtë, në këtë vend ka vetëm dy rrugë: Ose qëndron dhe lufton për të, ose largohu dhe mos u kthe më.

SHPËRNDAJE