“Unë në bulevard, si qytetar, por Berisha në bllok si në shtëpinë e tij.”

Ka qenë kjo përgjigja e parë, por shpërthyese e presidentit Bamir Topi, tetë muaj pas fyerjes publike që i bëri kryeministri Sali Berisha atij pas 21 janarit.

Në një intervistë shpërthyese dhe emocionale, por edhe elokuente politikisht, kreu i shtetit ka shpërthyer mbrëmë në emisionin Top Story të Sokol Ballës në Top Channel, duke deklaruar gjithashtu kthimin e tij vitin tjetër në politikë me një formacion të djathtë.

Por, Topi sfidoi indirekt Berishën duke paralajmëruar ëvizje deputetësh në kuvend nëse do shkohet tek zgjedhja e presidentit me 71 vota, si dhe duke ftuar partitë politike të pranojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte zgjedhja e presidentit direkt nga populli.

Presidenti komentoi si një deklarim pa etikë qytetare dhe që e mëshironte akuzën e kryeministrit Berisha.

Më tej gjatë intervistës presidenti Topi pohoi se ajo çka thuhej në kabllogramën e Uikiliks se Berisha po organizonte sulm me gurë ndaj presidencës në kohën e ligjit për lustracionin, ishte e vërtetë dhe se kështu i kishin ardhur informacionet nga shërbimet sekrete.

Por, pjesa më interesante e intervistës së tij në Top Story ishte ajo kur me një përgjigje të prerë ai iu përgjigj pyetjes së gazetarit Sokol Balla nëse vitin tjetër ai do të rikthehej në politikë. Presidenti u përgjigj qartë se do të ishte aktiv në politikë dhe se ai i përkiste të djathtës shqiptare për shkak të bindjes, por edhe prejardhjes së tij familjare, ndërkohë Topi la ende të hapur betejën për presidentin e ardhshëm.

Ai këmbënguli se Shqipërisë i duhet një president nga populli. Vetë Topi nuk përjashtoi jo vetëm mundësinë që në një rast të tillë të kandidonte vetë, por la të kuptohej se në rast se në kuvend do të shkohej tek zgjedhja e presidentit me 71 vota, do të kishte lëvizje nga një grup deputetësh nën influencën e tij që do të vepronin si pakicë bllokuese.

Në vazhdën e replikave të tij me kryeministrin në Top Story, presidenti Topi fajësoi ndryshimet kushtetuese si shkaktarë të situatës politike në vend, për të cilat tha ai, ka tashmë së paku një të penduar: “I penduar tashmë është zoti Rama, por nuk është penduar akoma pala tjetër”. (tch)

SHPËRNDAJE