Në përshëndetjen e saj, kryetarja e Kuvendit vlerësoi se Muaji i Ramazanit është një moment reflektimi, devotshmërie dhe dedikimi për të gjitha ata që besojnë të Zoti.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka ndjekur traditën e krijuar prej vitesh tashmë duke shtruar darkë Iftari në emër të Kuvendit të Shqipërisë ku ishin të ftuar Kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça, myftitë e të gjitha qarqeve, krerë të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri, deputetë dhe personalitete të fushave të ndryshme si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

“Tashmë është kthyer në një traditë që në muajin e Ramazanit ne të hapim së bashku momentin e Iftarit. Muaji i Ramazanit dhe vetë sakrifica e njeriut është një moment reflektimi, është një moment devotshmërie, është një moment dedikimi për të gjitha ata që besojnë të Zoti. Dhe ne sot Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi e kudo që ata janë në emigracion ne nderojmë besimin. Ne nderojmë Zotin dhe moment i sakrificës është momenti më sublim i besimit tek Zoti, i cili të kthen në forcë në një vullnet të jashtëzakonshëm për të përballuar jetën e cila jo gjithmonë është e thjeshtë. Ka uljet e ngritjet e saj, ka tallazet e saj. Është vetëm forca e Zotit që na bën të jemi optimist dhe te shohim me pozitivitet të ardhmen. Ndaj dhe njëherë ju falënderoj që jeni këtu dhe i jeni përgjigjur kësaj ftese dhe të gjithë së bashku të nderojmë besimin islam dhe Zotin së bashku”, vlerësoi Topalli.

SHPËRNDAJE