Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi sot përmes një letre drejtuar faktorëve ndërkombëtarë në vend ka shprehur shqetësimet për zhvillimet politike në Maqedoni.

“Maqedonia përbëhet nga 6 njësi zgjedhore, dhe nga secila prej tyre zgjidhen numër i barabartë i deputetëve, 20. Do të ishte gjithçka në rregull sikur edhe pesha e votës të ishte e barabartë në të gjithë njësitë zgjedhore, mirëpo kjo nuk ndodh. Njësia zgjedhore 6 në vazhdimësi ka rritje të numrit të votuesve dhe në bazë të dhënave të 2010 kjo njësi numëron 327.000 votues dhe nëse bëjmë krahasim me njësinë zgjedhore numër 3 e cila numëron 292.000 kemi një dallim prej 11.3%! Kodi Zgjedhor i cili e rregullon këtë materie parasheh që numri i votuesve në njësi zgjedhore mund të lëviz plus-minus 5%”, shkruhet në letrën e kreut të PDSH-së drejtuar ambasadorëve të BE-së, OSBE-së dhe ambasadave evroperëndimore.

Në letër më tej është shprehur edhe shqetësimi rreth pastrimit të listave votuese nga votuesit fiktivë. “Vite me radhë kjo temë ngritët edhe nga subjekte të tjera dhe kalkulohet me shifra deri në 200.000 votues fiktivë në Maqedoni. Dyshimet shtohen edhe më shumë me faktin që në Maqedoni proporcioni në mes të numrit të banorëve dhe numrit të votuesve është jo real dhe nuk krahasohet me asnjë vend tjetër”, thekson letra.

Thaçi ka nënvizuar edhe takimin e fundit të dy liderëve maqedonas, ku ndër të tjera shtrohet se “biseda e tyre sy në sy, në mënyrë dëshpëruese sërish konfirmon faktin se zgjedhjet në Maqedoni nuk janë të lira, nuk janë të barabarta dhe nuk janë në përputhje me parimin një njeri – një votë. Si mund të lejohet që në një shtet multietnik për zgjedhjet së pari të merën vesh përfaqësuesit e popullit dominant? Kjo len të kuptohet se në Maqedoni bëhen zgjedhje me parime të ndryshme dhe aplikohet inzhinjeringu elektoral konform interesave etnike”.

SHPËRNDAJE