Kryeministri Hashim Thaçi, në Tiranë ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Temë kryesore e takimit ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë, forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, përmbushja e plotë e agjendës evropiane nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë dhe tema tjera me interes.

Kryeministri Thaçi e ka njoftuar homologun e tij shqiptar, kryeministrin Sali Berisha për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente dhe efikase, sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe në veçanti për angazhimet institucionale për përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga agjenda evropiane e Kosovës.

Në takimin e sotëm, kryeministri Thaçi i transmetoi kryeministrit Berisha mesazhet e fuqishme të kancelares gjermane Angela Merkel, që i dha gjatë takimit të sotëm në Prishtinë.

“Mesazhet e kancelares Merkel janë mesazhet e mbështetjes së Gjermanisë për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës në të gjitha sferat, mesazhet e mbështetjes për integritetin e saj territorial dhe për perspektivën evropiane të Kosovës”, u shpreh Thaçi, njofton Zyra për informim e Kryeministrisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, nga ana e tij, i shprehu kryeministrit të Kosovës, mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shqipërisë për vizionin evropian të Qeverisë së Kosovës, duke potencuar në veçanti përkushtimin e saj për bashkëpunim rajonal me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe përkushtimin e Kosovës për dialog teknik me Serbinë, si dy shtete të pavarura.

“Me këtë vizion Qeveria e Kosovës po dëshmon për të satën herë orientimin e saj drejt vlerave më të larta evropiane, vlera këto që garantojnë paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim të gjithë rajonit në BE dhe në NATO”, theksoi Berisha.

Gjatë takimit, të dy kryeministrat u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

SHPËRNDAJE