Maqedonia është një shtet artificial ndërsa maqedonasit janë bërë më fashistë se para 20 viteve. Kështu tha mbrëmë në një intervistë për ‘Ora News’, lideri i opozitës shqiptare PDSH, Menduh Thaçi.

Duke komentuar incidentet e fundit, vrasjen e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar, rrahjen e nxënësve shqiptarë, dëmtimin e dyqaneve të shqiptarëve në Shkup, Thaçi tha se incidentet nuk janë sporadike dhe se prapa tyre qëndrojnë institucionet e shtetit.

“Vazhdoj të konstatoj se Maqedonia është një shtet artificial, një shtet eksperimental, kinse ‘multietnik’, kinse etnik e kështu me radhë. Kryeministri i tanishëm Gruevski jo pa dashje, jo mos dashje por ka një urrejtje mbi 90 përqind për shqiptarët. Maqedonasit 20 mijë herë janë më fashist se para 20 vjetëve dhe 20 mijë herë janë bërë më të fuqishëm ndaj shqiptarëve se para 20 vjetëve. Vazhdoj të them se këto nuk janë incidente sporadike dhe pas tyre incidenteve qëndrojnë institucionet e shtetit dhe ne nuk duhet të bëhemi jo serioz dhe ti apelojmë atyre institucioneve që ti zbardhin këto raste, këtu drejtësia aplikohet me selektivitet” , tha Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ai tha se gjithçka filloi me Enciklopedinë e Akademisë, fyerjet në tekstet shkollore, brohoritjet kundër shqiptarëve në terrene sportive.

“Në terrenet sportive kur reprezentacioni i Maqedonisë luante me Gjermaninë, fyheshin shqiptarët aty merrnin pjesë funksionarë të lartë shtetërore dhe ajo nuk ndërpriteshe, si u thash në fillim të emisionit, ashtu siç veproi Hitleri me nazistët dhe fashistët ashtu edhe këtu u vepru. Forca politike që ishte në qeverisje tanë kohën sillej me përgjumje dhe sigurisht se efekti i gjithë këtij nacionalizmi, i gjithë kësaj fryrje dhe gjithë këtij trimërimi të maqedonasve do të jetë dhuna mbi shqiptarët”, tha Thaçi.

Thaçi tha se pafuqia, mposhtja dhe përkulja e plotë e BDI-së para partnerit të koalicionit reflekton me këtë dhunë dhe me këtë trembje të shqiptarëve. Ai tha gjithashtu se shumë shpejt Maqedonia do të ndeshet me probleme tjera dhe do të jetë e detyruar që ti futet çështjes së zgjedhjeve të parakohshme ose Qeverisë së përgjithshme që ta nxjerrë vendin nga kriza.

Kreu i PDSH-së doli në mbështetje edhe të deklaratës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, i cili ditë më parë tha se nëse preken kufijtë në Ballkan atëherë shqiptarët do të jetojnë në një shtet.

“Është shumë e drejtë deklarata e Hashimit për shkak se ju e dini se dolën disa fjalë të kota muhabete të kota, identiteti kosovar paska një gjuhë tjetër gegërishtja, idiotizma të pa tolerueshme, tash janë dy shtete por ne jemi të gjithë shqiptarë dhe ardhmëria sido që të jetë do të jetë e përbashkët. Është ëndërr historike dhe dëshirë që vjen nga zemra”, tha Thaçi.

Thaçi tha se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, flet për një mundësi të zhgënjimit të shqiptarëve prej rrugës së integrimeve duke shtuar se deklarata e tij ka të bëjë më tepër në një porosi shumë serioze ndaj bashkësisë ndërkombëtare. /Alsat-M/

SHPËRNDAJE