Përveç mosekstradimit të Milan Radoiçiqit e grupit që organizoi sulmin terroristë në Banjskë, problematik del të jetë edhe gjykimi i tyre potencial në Kosovë.

Radoiçiq e dhjetëra pjestarë të tjerë të grupit paraushtarak serb, mund vetëm të akuzohen në mungesë, por jo edhe të gjykohen për veprimet e tyre, që rezultuan me vrasjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Kjo për shkak se Kodi i ri i procedurës penale, që mundëson gjykimin në mungesë, nuk ka paraparë një mundësi të tillë për veprat kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Këtë, të palogjikshme e quan ish kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.

“Fare ka qenë e panevojshme të përfshihet vrasja e rëndë, nëse nuk ka asnjë logjikë që psh për një vrasje gruas shtatëzënë, ti lejohet mundësia e gjykimit në mungesë, derisa kryengritja e armatosur që ti vret 5 mijë vet e të mos lejohet gjykimi në mungesë, nuk ka asnjë logjike”, tha Hasani

RTVD ka tentuar të marrë informacione edhe nga prokurori i rastit, Naim Abazi, por i njëjti ka rekomanduar që pyetjet t’i adresohen zyrës për media të Prokurorisë Speciale, derisa kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Hasani, është i mendimit që institucionet duhet të nisin punën në ndryshimin e bazës ligjore dhe zgjerimi e listës së veprave penale për të cilat mund të zhvillohet gjykimi në mungesë.

“Do të duhej të amandamentohej kodi dhe të lejohej edhe gjykimi në mungesë, edhe për të gjitha veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, nëse kjo normë do ishte fare e paefekte që jep mundësinë prokurorit të ngrit aktakuzë pa i marr në pyetje kur gjykata nuk mund ti gjykojë kurrë”, tha Hasani.

Por në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se duhet të rritet presioni tek ndërkombëtarët që të mundësohet ekstradimi i të njëjtëve nga Serbia në Kosovë.

“Duhet të shtohet normalisht presioni ndërkombëtar dhe normalisht që Kosova duhet të avokojë sa më shumë, tek partenerët tanë ndërkombëtar, në mënyre që pjesmarrësit apo terroristet të cilët, kanë marr pjesë në sulmin e Banjskës të ekstradohen ën Kosovë, në mënyre që të zhvillohet gjykimi”, tha Lavdim Makshana, hulumtues në IKD.

Për përfshirje në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, tash e disa muaj janë në paraburgim 3 serbë të cilët ishin arrestuar gjatë asaj kohe.

Sulmin në të cilin mbeti i vrari rreshteri Afrim Bunjaku, ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiciq e ka marr përsipër, por që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, shtet që refuzon të shqyrtojë mundësinë e ekstradimit të tij në Kosovë.

Gjykimi në mungesë, me ndryshimet ligjore të bëra në Kosovë është i mundshëm që nga gushti i vitit 2022, ndërsa aktakuza e parë në mungesë për krime lufte është ngritur në majin e vitit pasues.

 

SHPËRNDAJE