(I plotësuar) – Një ushtar i KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë, njoftohet të jenë plagosur gjatë aksionit të KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë të vendosur nga serbët lokalë.

Mjetet serbe të informimit nga veriu i Kosovës njoftojnë se KFOR-i ka çmontuar barrikadën në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, përkatësisht te vendi Rudarë, aty ku vitin e kaluar protestuesit serbë kishin ngritur një simbol të lartë kryqi.

Lajmi nuk është konfirmuar nga KFOR-i, zëdhënësi i të cilit, Uve Novicki, ka thënë se operacioni po vazhdon ende.

Zoti Novicki ka njoftuar për një ushtar të plagosur nga Forca e KFOR-it, kurse Milena Cvetkoviq, mjeke në qendrën spitalore në Mitrovicë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “tre serbë janë plagosur, njëri prej tyre nga të shtënat me armë zjarri, në gjendje më të rëndë”.

Që nga orët e hershme, njësi të KFOR-it, paqeruajtës amerikanë dhe gjermanë, kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe eskavatorët me qëllim të heqjes së barrikadës në Rudarë.

Por, me të nisur aksionin, strukturat paralele të pushtetit serb kishin lëshuar alarmet, me çka i sinjalizuan banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur.

Nga ai moment, diku rreth orës 8:30 të mëngjesit situata përshkruhet e tensionuar.

Aktualisht nuk raportohet për pasoja që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve.

Me rritjen e tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët.

Ndërkohë, përmes një komunikate me shkrim, KFOR-i vetëm konfirmon nisjen e aksionit për largimin e barrikadës në Rudarë.

“Ky aktivitet ka për qëllim përmirësimin e lirisë së lëvizjes dhe nuk ka të bëj vetëm me KFOR-in por me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Në anën tjetër, sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se KFOR-i ka ndërmarrë një “veprim shumë të rrezikshëm” duke bërë përpjekje për të hequr barrikadën në Rudarë të Zveçanit.

“Nuk i di motivet për këtë. Me duket se Prishtina dhe KFOR-i shfrytëzojnë vakumin institucional në Serbi për të ndryshuar gjendjen në terren. KFOR-i ka nisur menjëherë të përdorë plumba gome dhe gaz lotsjellës dhe druaj se kjo do të jetë një ditë e gjatë”, ka thënë Ivanoviq për mediat serbe.

Ivanoviq ka thënë se Ministria për Kosovën po bën përpjekje të qetësojë tensionet dhe se tashmë ka kontaktuar misionet ndërkombëtare në Kosovë për këtë çështje.

Serbët e veriut kanë vendosur barrikada në rrugë qysh në fund të korrikut të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për shtrirjen e kontrollit të saj në pikat kufitare 1 dhe 31.

SHPËRNDAJE