Dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet ku kanë diskutuar për takimin e 27 shkurtit Kurti – Vuçiq në Bruksel.

Fillimisht, për telefonatën u njohura nëpërmjet një komunikate për media të Zyrës së Kryeministrit ku nuk ndaheshin shumë detaje me publikun për natyrën e bisedës së zhvilluar.

Kjo telefonatë nga kryeministria u përshkrua si “vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.”

Në komunikatën e kryeministrisë thuhet se Kurti ka konfirmuar qëndrimin e tij për propozimin europian si bazë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Pak më vonë, Kurti nëpërmjet një postimi në Twitter ndau edhe pak më shumë detaje për publikun rreth bisedës me Chollet, duke nënvizuar vetëm fjalët e tij.

“Thirrje fantastike sot me Derek Chollet. Konfirmova mbështetjen për propozimin e BE-së si bazë e mirë për bisedimet e mëtejshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.”, shkroi Kurti.

Ai më tutje tha se normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke si element qëndror i marrëveshjeve dhe respektimi e të drejtave të pakicave në të dy vendet.

“Normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke si elementi qendror i marrëveshjes dhe gjithashtu respektimin e të drejtave të pakicave në të dy vendet.”, shkruan Kurti.

E Chollet vendosi që vet të shkruaj një postim ku tregoi pikat kyçe të porosive që pati për Kurtin në këtë bashkëbisedim telefonik.

Ai nëpërmjet një postimi në Twitter tha se i ka thënë Kurtit se mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së.

“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot para takimit të udhëheqësve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, thuhet në shkrimin e Chollet.

Por, ajo që është më e rëndësishmja e këtij takimi, Chollet ishte treguar i prerë ndaj Kurtit sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Unë ndava se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe”, shkroi Chollet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq do të takohen të hënën në Bruksel ku pritet të diskutohet dhe të pranohet edhe zyrtarisht plani evropian për zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë.

SHPËRNDAJE