Analisti dhe trajneri i futbollit, Faruk Statovci ka konfirmuar se është sulmuar fizikisht nga dy persona të maskuar para banesës së tij në Prishtinë.
Statovci zbulon se sulmuesit ishin të maskuar e në duar mbanin shkop bejsbolli.
Gjendja e tij është e mirë.
“Po, është e vërtetë që jam sulmuar, rasti ka ndodhur pas orës 00:00, pas emisionit pasi e kemi pirë ka një kafe me ata kolegët që kemi qenë në emision diku kah ora 23:30 kam ardh tek banesa. Pasi e kam parku veturën në parking, parkingu nuk edhe aq ndriçim persona të maskuara me shkopa të bejsbollit më kanë sulmuar”, ka deklaruar ai për Insajderin.
I pyetur nëse ka dyshime se kush mund ta ketë kryer sulmin, ai nuk deshi të deklarohet me emra të përveçëm.
“Dyshimet tek unë ekzistojnë por për momentin nuk dua të flas më shumë. Janë disa kamera këtu tek ndërtesa, po ia lëmë njëherë policisë, por normal që kam dyshime, por nuk dua ta apostrofojë askënd”, u shpreh Statovci.
Trajneri tregoi ai ndihet mirë me shëndet.
“Ata kanë tentu me më lëndu mu , unë kam pësuar disa lëndime të lehta por jo, diçka e rëndë. Në vendngjarje ka qenë policia dhe emergjenca por falë zotit nuk ka ndodhur më e keqja. Jam mirë“, deklaroi në fund ai.