Fyle shpall zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle ka hapur edhe zyrtarisht procesin e hartimit të studimit të fizibilitetit për Kosovën.

Gjatë një vizite që Fyle po i bën Prishtinës, ai tha se vizita e tij shënon edhe zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit.

Këto komente, ai i bëri gjatë aktit të themelimit të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane i cili do të funksionojë nën udhëheqjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Ky studim do të bëjë një përfshirje të vlerësimeve lidhur me të arriturat në Kosovë”, tha Fyle.

Studimi, do të identifikojë edhe sfidat që duhet përmbushur tutje, në mënyrë që edhe Kosova një ditë të mund të negociojë për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Në vijim, ai ka numëruar pikat kryesore të cilat do t’i përfshijë në vete studimi i fizibilitetit.

“Tregtia, është me rëndësi që Kosova të përcjellë rekomandimet e Komisionit Evropian”, tha fillimisht Fyle.

Ndërkaq, sfidat tjera në të cilat BE-ja kërkon përparime janë administrata publike, arritja e konsensusit të gjerë politik për agjendën evropiane, ku përfshihen reformat për zgjedhje të lira e demokratike, pastaj sundimi i ligjit dhe së fundit integrimi i pakicave.

“Këtë vit ne dëshirojmë të bëjmë një përparim vendimtar për vizat, tregtinë dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së”, theksoi Fyle.

Në këtë aspekt, ai kërkoi që Kosova të ketë parasysh sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migrimin.

Fyle e rikujtoi lidershipin kosovar sërish edhe për një agjendë politike e gjithëpërfshirëse për veriun dhe kërkoi nga të gjitha subjektet politike ta mbështesin këtë agjendë.

Ai tha se atje duhet të vendoset komunikimi dhe jo konfrontimi.

Në anën tjetër, presidentja Jahjaga tha se integrimet evropiane, krahas bashkëpunimit dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara janë jetike për Kosovën.

Për procesin e integrimeve, në Kosovë ka një konsensus të plotë politik, tha Jahjaga.

Për këtë qëllim ajo edhe zyrtarisht shpalli të formuar Këshillin Kombëtar për Integrime Evropiane.

Presidentja Jahjaga tha po ashtu se integrimet evropiane do të jenë të plota, vetëm kur pjesë e BE-së të jenë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidentja e Kosovës nuk ka lënë pa përmendur as dialogun me Serbinë.

Ajo tha se dialogu është rruga e vetme për normalizimin e raporteve ndër shtetërore.

Këshilli për Integrime Evropiane ka për synim koordinimin e veprimeve në lidhje me integrimet evropiane.

Ai do të udhëhiqet nga presidentja Jahjaga, ndërkaq si qëllim ka edhe krijimin e një platforme kombëtare për integrimet.

Në takimin e sotëm, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, lideri opozitar Isa Mustafa si dhe përfaqësues komisioneve parlamentare.

SHPËRNDAJE