largea_85d69d0b-11cd-4813-9362-155688564f13_w1000_r1_s1455355174Papa Françesku dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, kanë bërë thirrje për unitet të krishterë dhe kanë thënë se kominiteti ndërkombëtar duhet të mbrojë njerëzit e besimeve që sulmohen nga grupet militante islamike.

“Në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, familje të tëra, fshatra dhe qytete të vëllezërve dhe motrave tona janë duke u shfarosur tërësisht”, kanë thënë ata në një deklaratë të përbashkët.

Takimi i tyre në Havanë të Kubës ka qenë takimi i parë midis një pape katolik dhe një patriarku ortodoks rus.

Dy udhëheqësit e kishave kanë thënë se grupet si Shteti Islamik kanë persekutuar jo vetëm të krishterë, por edhe njerëz të besimeve të tjera, përfshirë myslimanë.

“Duam të shprehim keqardhjen tonë për vuajtjet që kanë përjetuar besimtarët e traditave të tjera fetare, të cilët po ashtu janë bërë viktima të luftës civile, kaosit dhe dhunës terroriste”, kanë thënë Papa Françesku dhe Patriarku Kirill.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë çdo përpjekje të mundshme për t’i dhënë fund terrorizmit përmes veprimit të përbashkët dhe të kooridinuar”, kanë thënë ata.

Si ndjekës të dy degëve më të mëdha të krishterimit në botë, me 1.3 miliard ndjekës të kombinuar, ata janë zotuar se do të punojnë për unitet në të ardhmen.

“Jemi mërzituar nga humbja e unitetit, dobësia njerëzore dhe mëkati”, kanë thënë ata.

“Të ndërgjegjëshëm për pengesat e shumta, jemi me shpresë se takimi ynë do t’i kontribuojë rivendosjes së këtij uniteti, me dëshirën e Zotit”, kanë thënë Papa Françesku dhe Patriarku Kirill.

Ka qenë ky takimi i parë midis krerëve të kishave lindore dhe perëndimore që nga Skizma e Madhe më 1054, kur kishat janë ndarë, pasi kisha lindore ka refuzuar autoritetin e Romës.

Dy liderët kanë kanë përqafuar njëri-tjetrin, ndërsa Papa Françesku ka thënë “më në fund”.

“Më në fund, u takuam. Ne jemi vëllezër. Është e qartë se ky takim është vullneti i Zotit”, ka thënë ai.

“Gjërat tani janë më të lehta”, është përgjigjur Kirill.

Refuzimi i Kishës Ortodoske për të pranuar Papën si udhëheqës të krishterimit është arsyeja kryesore e marrëdhënieve historikisht të dobëta midis dy kishave.

Patriarku Kirill është në krye të Kishës Ortodokse Ruse qysh në shkurt të vitit 2009, ndërsa Papa Françesku ka marrë detyrën në mars të vitit 2013.

Kisha Katolike Romake ka mbi një miliard ndjekës në gjithë botën, ndërsa Kisha Ortodokse Ruse numëron rreth 165 milionë.

Kisha Ruse është më e madhja dhe më e fuqishmja në besimin ortodoks, i cili përbëhet nga një numër kishash të veçanta.

SHPËRNDAJE