Më 15 maj konferenca e kryetarëve do vendosë datën e nisjes së garës presidenciale

Zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, ka qenë kryefjala e zhvillimeve politike të kësaj jave. Kryetarë të partive parlamentare, protagonistë të kësaj gare dhe përfaqësues ndërkombëtarë, janë takuar për të biseduar mbi këtë proces, i cili konsiderohet si sfida kryesore e politikës. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, u takuan në një ndër hotelet loksoze të Tiranës për të diskutuar mbi procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Por, media zbuloi se Rama dhe Meta ishin takuar vetëm pak ditë më parë në shtëpinë e kreut të LSI-së në Gjirin e Lalzit. Pas takimit zyrtar, asnjë prej tyre nuk pranoi të prononcohej mbi takimin e fshehtë, por u shprehën vetëm për procesin.

Kryesocialisti pranoi se ishte takuar fshehurazi me Metën në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në televizionin Klan. Por Rama anashkaloi të përgjigjej për pyetjen nëse i kishte kërkuar falje Ilir Metës mbi akuzat e ashpra që ka artikuluar në adresë të kreut të LSI-së, në të kaluarën.
Kryetari socialist në vijim të takimeve me krerët e partive parlamentare u takua edhe me kreun e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi. Pas takimit që zgjati për një orë e 15 minuta ata u shprehën.
Axhendë të ngjeshur takimesh gjataë javës ka pasur edhe kandidati për Presidenti, lideri historik i majtës, Fatos Nano. Pas takimeve të mëparshme me Ilir Metën, Shpëtim Idrizin, Edi Ramë dhe Vangjel Dulen, ish-kryeministri fillimisht u takua me kryerepublikanin Fatmir Mediu.

Por, takimi më i rëndësishëm i Fatos Nanos, ishte ai me kryeministrin Sali Berisha. Në një takim që nuk zgjati më shumë se 35 minuta, Kryeministri Berisha e garantuar zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha këto marrëveshje të së shkuarës në interesin më të mirë të vendit, por kryeministri i ka bërë të qartë se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj për President. Kryeministri Berisha ka ritheksuar se pas kthimit nga Samiti i Çikagos, ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës, mbetet një prioritet i angazhimeve të faktorit ndërkombëtar. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, pas një takimi kokë më kokë me kryesocialistin Edi Rama, ka apeluar për gjetjen e një kompromisi mes palëve politike.

Ethet presidenciale kanë përfshirë të gjithë. Madje çdo ditë janë shfaqur emra për kandidatë të mundshëm për President. Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i pyetur nga mediat, tha se edhe kreu i LSI-së Ilir Meta mund të jetë kandidat.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i vetë Ilir Metës, i cili hodhi poshtë kandidimin e tij për postin e kreut të shtetit.
Ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Mësohet se më datë 15 të këtij muaji, kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, për të vendosur mbi datat se kur do të nisë gara e vërtetë presidenciale. Me tepër interes pritet që gjatë ditëve në vijim takimi mes kreut të opozitës Edi Rama dhe kryeministrit Sali Berisha, ku do të diskutohet mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë.

SHPËRNDAJE