Beogradi kërkon të negociojë me Tiranën zyrtare mbi konfliktet territoriale qindravjecare mes serbëve dhe shqiptarëve.

Këtë e deklaroi presidenti serb Boris Tadiq, gjatë një forumi të organizuar në Bruksel nga German Marshall Fund. Sipas tij, nuk ekziston termi “kosovar”, por në këtë territor ka vetëm shqiptarë dhe serbë.

“Qëllimi im është të zgjidhim konfliktet historike që ekzistojnë në Ballkan”, ka deklaruar Tadiq.

“A po flisni historikisht që nga lufta e fushë Kosovës, apo historikisht pas vendimit të GJND-së?”, e ka pyetur atë Mathew Horn, avokat amerikan.

“Ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo është saktësisht ajo që po përpiqemi të arrijmë, që do të thotë të arrijmë një kompromis. Dhe jo të kemi një palë që humbet gjithçka dhe një tjetër që fiton gjithçka. Është e thjeshtë”, është përgjigjur Tadiq.

Sipas presidentit serb, dialogu Prishtine-Beograd duhet të nisë me çështje teknike për të lehtësuar jetët e njerëzve, por duhet të përfundojë me tema të dhimbshme, cka nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

“Përsa i përket Kosovës ne duhet të nisemi nga realiteti në terren. Shqiptarët sot, njësoj si në të kaluarën, nuk pranojnë çatinë e sovranitetit serb. Më së shumti serbët e veriut në Kosovë nuk duan të pranojnë çatinë e nje sovraniteti shqiptar mbi kështjellë, dhe ky është realiteti ku po jetojmë. Nëse do të më pyesnit çfarë mund t’i ofrojnë zyrtarët shqiptarë në Prishtinë serbëve të veriut në Kosovë…”, ka vijuar Tadiq.

“Unë po ju pyes se çfarë kosovarët në Prishtinë mund të ofrojnë”, ka insistuar Steven Erlanger, gazetar i “New York Times”.

“Epo mirë, kosovarët në Prishtinë, nëse doni ju. Por nëse i pyesni serbët se, a janë ata kosovarë, ata do të thonë jo, ne jemi serbë”, ka pohuar Tadiq.

Kjo është hera e parë që presidenti i Serbisë shtron publikisht nevojën e një dialogu me Shqipërinë për të zgjidhur historinë qindravjecare mes dy popujve, duke përfshirë këtu dhe një pazar për territoret.

SHPËRNDAJE