David Silva ka theksuar se ndeshja e radhës e Spanjës ndaj Irlandës do të jetë e vështirë sepse irlandezët luajnë shumë mirë në kundërsulm.

“Kanë shumë lojtarë që luajnë në kampionatin anglez dhe lojën e kundërsulmit e zotërojnë mirë”, deklaroi mesfushori i Manchester City, i cituar nga mediat spanjolle.

Në lidhje me barazimin ndaj Italisë në ndeshjen e parë të grupit C, futbollisti i ekipit kampion Europe në fuqi deklaroi: “Ishte një ndeshje e mirë sepse e rëndësishme në ndeshjen e parë është mos të humbësh. Tani do të tentojmë të fitojmë dy ndeshjet që na kanë mbetur në grup. Fatin e kemi në duart tona.”

Duke folur për modulin pa sulmues që Del Bosque hodhi në fushë ndaj axurrëve, Silva theksoi: “Unë jam mësuar të luaj me 1 ose 2 sulmues para sepse më pëlqen të jap pasimet për gol. Nuk jam sulmues i mirëfilltë edhe pse kohët e fundit kam bërë gola.”

Ndeshja Spanjë-Irlandë do të luhet të enjten në orën 20.45.

SHPËRNDAJE