480 është numri total i të prekurve me koronavirus në Kosovë. Ky numër u rrit gjatë natës së mbrëmshme kur u konfirmuan edhe 31 raste të reja.
Të premten mbrëma Qeveria e Kosovës i gjet nën kritika për mungesë testesh pasi furnizimi me to kishte dështuar.  Në këtë situatë kur Kosova kishte kapacitete për testime vetëm edhe për 3-4 ditë, në ndihmë erdhi Serbia e cila  i dërgoi Kosovës 1 mijë teste.
Kryeministri Kurti e quajti këtë  gjest të vullnetit të mirë, derisa nuk kishte njohuri nëse ato kishin ardhur për Kosovën apo siç e quajnë serbët “Kosova i Metohija”. Këtë dilemë e hoqi Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i cili tha se bëhet fjalë vetëm për një kuti me teste dhe se nuk ka asnjë dokument tjetër i cili shënon se është dhuruar për këtë ose për diçka tjetër, shkruan Reporteri.

Vitia po ashtu tha se Qeveria e Serbisë testet i ka dërguar si shenjë falënderimi për kujdesin që po ia bënë Kosova qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë.
Mirëpo Lëvizja Vetëvendosje në dhjetor të viti 2019 kishte kundërshtuar ashpër një akt bamirësie që Serbia kishte bërë për shqiptarët e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin.
Atë kohë në kuadër të “Mini-Shengenit Ballkanik” presidenti serb, Aleksandër Vuçiq derisa po qëndronte në Shqipëri bashkë me presidentët e vendeve të tjera të rajonit vizitoi zonat e prekura nga tërmeti gjersa ofroi ndihmën e Serbisë për Shqipërinë.

Rreth kësaj vizite reagoi ashpër Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë  e cila para përmes një aksioni tha se qeveria në Shqipëri po përpiqet që një kriminel lufte si Aleksandar Vuçiç ta paraqesë si bamirës të të prekurve nga tërmeti i nëntorit.
“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka mbajtur sot një konferencë për shtyp përpara hyrjes së hotel “Rogner”, ku ka vendosur një baner me mbishkrimin: “Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”. Ky mesazh i referohet vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ditën e premte në Tiranë, në kuadër të takimit të të ashtuquajturit “shengen ballkanik”. Kryetari i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqiëpëri, Enis Sulstarova, tha para mediave se qeveria në Shqipëri po përpiqet që një kriminel lufte si Aleksandar Vuçiç ta paraqesë si bamirës të të prekurve nga tërmeti i nëntorit, duke tentuar t’ia shplajë figurën Vuçiçit”, thuhej në reagim.

Aty potencoheshin po ashtu masakrat që shteti serb kishte kryer në Kosovë e që presidenti serb edhe atë kohë ishte pjesë e pushtetit.  VV kritikonte Qeverinë e Shqipërisë, duke thënë  se Shqipëria duhet ta vinte interesin kombëtar në radhë të parë dhe nuk duhej të lejonte që një ministër i Millosheviqit të vinte e të pozonte si bëmirës.

“Mirëpo, shqiptarët e dinë se presidenti i Serbisë ka qenë Ministër i Informacionit gjatë kohës kur regjimi i Milosheviçit ka kryer masakra të shumta në Kosovë. Ushtria dhe paramilitarët serbë kanë vrarë e masakruar me mijëra civilë, nuk kanë kthyer mbi 1600 persona që mbeten të pagjetur, kanë dhunuar 20 mijë gra e vajza, kanë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi, kanë vjedhur artefaktet kulturore e fondin pensional, kanë shkatërruar mbi 50% të traktorëve dhe të bagëtisë në Kosovë, dukë bërë që Serbia t’i ketë borxh kombit shqiptar mbi 20 miliardë euro si dëmshpërblime lufte. Qeveria Vuçiç vazhdon ta luftojë pavarësinë e Kosovës dhe punon pa u ndalur kundër interesave të kombit shqiptar. Sot që Kosova njëzëri refuzon të marrë pjesë në një takim ku ministri i Milosheviçit paraqitet si bamirës, interesi kombëtar na thotë se të njëjtin qëndrim duhet të mbante edhe qeveria e Shqipërisë”, thuhej tutje në reagim.

Aty potencohej se Vuçiq për sa është në pushtet mbetet person non grata për shqiptarët dhe se nuk mund ta shmangë drejtësinë me lëmoshë.
“Vuçiç nuk mund ta shmangë drejtësinë duke dhënë lëmoshë. Ai mbetet persona non grata për shqiptarët. Ftojmë qytetarët të na bashkohen këtë të premte për të shprehur njëzëri kundërshtimin tonë”, përfundonte reagimi. /Reporteri.net

SHPËRNDAJE