Historianët shqiptarë: Politikanët të merren me problemet e vendit që është në kolaps, jo me historinë!

Ndërkohë që intelektualët dhe historianët e njohur të vendit kritikuan vlerësimet e rekomandimet e Berishës për ‘rishkrimin e historisë’, përfshi dhe liderët e së majtës, Pandeli Majko bëhet ‘historian’, e quan legjitime braktisjen e vendit nga Zogu në vitin 1939 dhe i vë vulën e ‘Patriotit’ këtij personaliteti të shumëpërfolur, veçanërisht në këtë vit që përkon me 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. As më shumë dhe as më pak, Pandeli Majko, në intervistën e tij televizive, as më pak e as më shumë, pohon tekstualisht kështu: “Shumë historianë e kanë cilësuar si akt tradhtie, por për mua akti i largimit të mbretit Zog është akti i vetëm juridik që i tregonte botës së Shqipëria ishte pushtuar nga Italia dhe duhet vlerësuar me pozitivitet”. Pra, Majko nuk flet si qytetar, as si politikan, por u jep ‘leksion’ dhe historianë të njohur e quajnë braktisjen e Zogut më 1939-n ‘tradhti’.

PARADOKSI

Kurajoja e politikanit Majko, që ‘mëson’ dhe historianët si ta vlerësojnë Zogun, pa u referuar në asnjë fakt historik, dokument të kohës, minimalisht është naivitet e padituri nga ana e tij… Po dje, kundër ‘historianit’ të ri Majko që merr dhe rolin e ‘profesorit” (nuk është dakord me historianët dënojnë braktisjen e vendit ditën e pushtimit italian), është vënë dhe kolegu i tij, deputeti socialist Erion Braçe. “Ahmet Zogu nuk e ka tradhtuar Atdheun?! Po çfarë i bëri Atdheut, Zogu? E shiti? Pooo! I vrau djemtë më të mirë, burra që edhe sot ndriçojnë në altarin e heronjve të këtij vendi? Pooo! Rrëmbeu çdo gjë, pasuri dhe mjete monetare? Pooo! Themeloi ‘Monarkinë’, e ktheu në një pushtet gjakatar, abuziv, varfërues, prapambetës? Poooo! Po atëherë?. Ju pata thënë është bërë tejet e vështirë që të jetosh e të militosh si i majtë! Zotni Gurakuqi, Zotni Prishtina, Zotni Rustemi, Imzot Noli, e kam detyrim ta luftoj rivlerësimin e Monarkisë edhe në emrin tuaj!…”- shkruan mes të tjera në rrjetin e tij social deputeti Braçe.

REFLEKSION

Përtej kundërshtive të deputetëve Majko e Braçe, lidhur me vlerësimin e ish-mbretit Ahmet Zogu, më tepër se sa njohuritë e deklaruesve (s’i lidh gjë me profesionin e historianit), përtej tendencës për të përfituar ndonjë kapital politik në këtë situatë tejet të acaruar në vend si ‘i moderuar’, për të mos aluduar për ndonjë prapavijë interesi, tendenca për t’u përfshirë në vlerësimin e figurave të debatuara, komplekse, nuk mendohet e nuk është thjeshtë rastësi. Për më tepër, kur politikanët (që në fakt e kanë nxirë punë  e tyre dhe e kanë çuar vendin drejt greminës), marrin rolin e historianëve. Disa nga historianët e kontaktuar dje nga ‘Telegraf’ për zhurmën mediatike të orëve të fundit për ish-mbretin Zog, e quajnë ‘të pabukë’ dhe ‘nga persona që nuk dinë çfarë flasin, apo nuk kanë me çfarë të merren”…

HISTORIANËT

Historiani, Dr. Apostol Kotani, jo vetëm nuk pajtohet me mendimet e ‘diletantëve’ në histori të deputetit Majhko, por rendit disa fakte e dokumente historike për mëkatet e Ahmet Zogut nga shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Një ndër mëkatarët më kryesor, është Ahmet Zogu… Politikanët të bëjnë politikë e të lënë historianët të bëjnë punën e tyre. Ikjen e Ahmet Zogut (kur pat premtuar që do të vishte opingat e do të luftonte), nuk e quajnë ‘tradhti’ vetëm historianët serioz shqiptar, por dhe shumë personalitete të huaj të kësaj fushe. Për më tepër, ka dokumenta të pa kontestueshme që e vërtetojnë këtë tradhti. Janë shumë, por po rendis pak prej tyre. Gazeta ‘Përlindja e Shqipërisë’ e verës 1913, shkruan se Zogu, me 800 forca, bashkohet me Esat Pashë Toptanin dhe Beun e Shijakut, tentojnë të përmbysin qeverinë e Ismail Qemalit, i shtytur dhe nga serbët e austro-hungarezet. Në mars të vitit 1922 vari në litar 11 patriotët, përkatësisht Ahmet Isuf Bejtaga, Bajram Sali Xhani, Dalip Sulejman Peza, Dalip Ahmet Lala, Ibrahim Xhemal Arapi, Mustafa Hysen Kertalla, Haxhi Isuf Kazazi, Hysen Rexhep Kertusha, Zenel  Abdulla Metalla, Mustafa Ali Tufa dhe Llazar Krsto Sotiri. Për të likuiduar kundërshtarët Ahmet Zogu ngarkonte njerëz me pagesë. Kështu veproi për vrasjen e Avni Rustemit në Tiranë, për vrasjen e Bajram Curit në Tropojë, etj… Shiti trojet shqiptare, Shën Naumin e trojet në veri të vendit. Në prag të agresionit italian të 7 prillit 1939, Ahmet Zogu, pasi tërhoqi nga Arka e Shtetit 115 kilogram arë,  me 5 prill 1939, mori arratinë me 100 pasues, duke e lënë popullin dhe vendin në mëshirën e fatit, e kur mijëra shqiptarë i kërkonin armë për të luftuar. Zogu qëndroi me vite jashtë Shqipërisë, kur me kushtetutën e tij,pot ë kalonin 6 muaj, automatikisht humbet e drejta e kurorës. Historia ka folur e duhet të flasë për këtë rast e shumë të tjerë, por politikanët duhet të mos përzihen. Përzierja e tyre me qëllim ndryshimin arbitrar të historisë, fsheh interesa të pista”,- pohon historian Apostol Kotani./Telegraf

SHPËRNDAJE