Wikileaks publikon dokumenta mbi ndërhyrjet kibernetike nga SHBA. Shkeljet, edhe përmes televizorëve të lidhur me internetin

E mbani mend “1984”, romanin fantastiko-shkencor (kështu dukej një herë e një kohë) të George Orwellit? Duhet ta lexoni përsëri.

Sepse “Vëllai i Madh” i imagjinuar në vitin 1948 nga Orwell është më aktual se kurrë. Vetë është vendosur në një hap me kohën, sepse tani nuk kënaqet duke na spiunuar në mënyrë të zakonshme, me kamera dhe mikrofona, që vendosen pak a shumë atje ku s’të vete mendja. Është gjithmonë ai, “Big Brother”. Vetëm se tani duhet të mësohemi ta quajmë “Engjëlli që qan”, si e kanë pagëzuar krijuesit e tij në CIA, në sektorin e “Embedded devices branch”, që do të thotë në Sektorin e pajisjeve të inkorporuara.

Ja si funksionon. Supozojmë se dje në mbrëmje keni parë në televizion ndeshjen Napoli-Reali i Madridit. Pasi keni fikur televizorin (natyrisht keni një nga ata smart TV të lidhur në internet), aktivizohet një mikrofon i fshehtë që kap bisedat tuaja dhe regjistron gjithë sa thoni në shtëpinë tuaj, duke shkelur kështu deri në detaje intimitetin tuaj shtëpiak. Jeni në tualet apo në dhomë? Nuk ka rëndësi. Në Langley, Virginia, nëse duan, mund ta dijnë si quhet vjehërra juaj dhe çfarë numri e keni këmbën.

Eshtë ky zbulimi më i fundit i Wikileaks, organizata e themeluar nga Julian Assange, e cila ka shpërndarë mijëra dokumente konfidenciale të CIA-s në një program hacker-imi, përmes një serie virusesh. Mjete me të cilat CIA është në gjendje – që nga viti 2014 – të kontrollojë telefonat e kompanive amerikane dhe evropiane, të tilla si iPhone Apple, Google Android dhe Microsoft deri në televizorët e kompanisë më të madhe të Koresë së Jugut, duke i përdorur ato si mikrofona sekrete. Por kini kujdes, paralajmërojnë ata të Wikileaks, sepse ato që janë zbuluar sot, janë vetëm maja e ajsbergut.

Organizata e Assange ka njoftuar nxjerrjen e mijëra dokumenteve nga “Qendra për Inteligjencën Kibernetike” e CIA-s. Më e bukura është se në CIA, bëjnë një dhe mendojnë për njëqind; por është gjithmonë një “idiot”, brenda, i cili lë një portë të hapir dhe prej aty rrjedhin me mijëra informacione, të cilat bien në duart e “miqve” të Assange.

Eshtë një arsenal (thuhet 8700 dosje) prej ku del që edhe konsullata amerikane në Frankfurt përdoret si bazë për hackerat e CIA-s, të cilët nga zemra e Gjermanisë mbulojnë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Një goditje e rëndë për CIA-n, do të thuhej, nëse është e vërtetë që Agjencia në Langley, Virginia ka humbur kontrollin e arsenalit të saj kibernetik.

Natyrisht, betohen ata të Wikileaks, nuk është qëllimi i tyre që të bëjnë publik fushëveprimin e armëve kibernetike të CIA-s, pasi rrezikohet të bien në duart e mafiave, shteteve të ligj apo adoleshentëve të shkathët me mousin. Objektivi është ai i krijimit të një debati publik mbi “sigurinë, krijimin, përdorimin, përhapjen dhe kontrollin demokratik të armëve kibernetike”.

Natyrisht, dikush kishte kuptuar gjithcka dhe e dinte ku do të përfundonim. Por në vend që emri i tij të përfundonte në librat e historisë, ai mbahet në burg. Quhet Toto Riina, kreu i mafias që mesazhet e tij ia besonte vetëm “pizzini”-ve, “copëzave të letrës”. Sepse letrës, thoshte Riina, virusi nuk ka fare ç’ti bëjë.

SHPËRNDAJE