“Skamja të çon në derë të hasmit”, është një fjalë e urtë popullore, që për shqiptarët e Kosovës po bëhet realitet i hidhur këto kohë.
Mësyjnë drejt qytetit serb me shpresë se do të pajisen me pasaporta të Serbisë, pasi për shkak të mosliberalizimit të vizave, ajo e Kosovës nuk ka çfarë u hyn në punë.
Kjo, dhe për shkak të një dëshire për t’u larguar nga Kosova. Dhe shpëtimin e gjejnë tek pasaportat serbe, të cilat kanë një çmim të lartë, jo vetëm financiar por dhe çmim dinjiteti.
Burimi tha se pas dështimit të qeverisë së Kosovës në liberalizimin e vizave me BE-në, numri i shqiptarëve të Kosovës që presin në sportelet e stacionit policor të Nishit është rritur dukshëm.
Mbi 42 mijë shqiptarë nga Kosova kanë dokumente dhe pasaporta serbe?!
Burimet e agjencise se lajmeve “Presheva jonë” njoftojne se më shumë se 42 mijë qytetarë të Kosovës, nga viti 2008 e deri në dhjetor të vitit 2013, janë pajisur me pasaporta të shtetit të Serbisë, duke mos llogaritur ata në perëndim.
Sipas këtyre të dhënave, thuajse të gjithë aplikuesit për pasaporta serbe janë të nacionalitetit shqiptar.
Sidomos, vlerësohet se që nga liberalizimi i vizave për Serbinë me Bashkimin Evropian, është rritur dukshëm numri i qytetarëve kosovarë që ndryshojnë adresën e vendbanimit të tyre dhe shkruhen me vendbanim në Luginën e Preshevës. Këto janë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat ka arritur t’i sigurojë agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.
Për “Presheva Jone”, i ngarkuari për komunikim me media në ambasadën serbe në Bernë, V. Neshiq ka deklaruar se “nga më se pesë mijë pasaporta sa janë lëshuar tre muajt e fundit, pjesa dërmuese – mbi 60 për qind apo rreth 3000 e kërkuesve të pasaportës serbe në Zvicër janë qytetarë shqiptarë – nga Kosova.
“Për çdo ditë rreth 150 qytetarë të Kosovës, shumica shqiptarë, i drejtohen administratës së qytetit të Vranjës, për të marrë dokumente personale të Serbisë…” ka thënë Nebojsha Lubiçin, shefi i Drejtorisë së Administratës së Vranjës.
“Shptari, çka po kërkoni ju këtu, ju e keni shtetin e juaj, keni edhe pasaporta. Ikni se vetëm Aleksandar Vuçiçi po ju lejon, se ne do iu kishim vrarë”, iu thonë policët serbë shqiptarëve që presin në radhë për të dorëzuar dokumentacionin apo për të marrë pasaportën”, ka thënë burimi i portalit tesheshi
Sipas tij, keqtrajtimet për shqiptarë janë të përditshme. Ka pasuar raste kur edhe serbët që punojnë në zyra, pra ata që janë nëpunës, janë fjalosur me bashkëpatriotët e tyre policë duke kërkuar nga këta që të mos i fyejnë dhe ketrajtojnë shqiptarët”.
Por, ka thënë burimi, i cili i ka parë me sy këto skena, “mjerisht nuk kam guxuar që të nxjerr telefonin dhe të regjistroj se çfarë torturash përjetojnë shqiptarë deri sa pajisen me letërnjoftim dhe pasaportë serbe.”
Pothuajse të gjitha dokumentet e shqiptarëve që dëshirojnë të pajisen me pasaporta serbe, rregullohen në Graçanicë dhe Çagllavicë; por ka edhe disa të tjera që duhen të rregullohen në qytetin e Prokuples së Serbisë, aty ku janë të vendosur dokumentacionet e kosovarëve që Serbia i ka marrë dhe plaçkitur gjatë luftës.
Çdo shqiptar që pajiset me pasaportë të Serbisë, duhet të paguajë së paku 200 euro ryshfet, si dhe rreth 60 euro të tjera për pasaportë dhe dokumenta; dhe duke iu shtuar këtyre dhe 30 euro biletën kthyese, ushqimin etj., pasaporta shkon pra nga 300 deri në 350 euro.
Interesant është fakti se në pikën e kalimit kufitar të Merdares, në anën serbe, sjellja ndaj shqiptarëve është korrekte, edhe pse e dijnë arsyen se ku po shkojnë dhe pse po shkojnë. Që do të thotë se u intereson që shqiptarët të bëhen “serbë” dhe të lënë tokën e tyre. Por kur janë në sportele, ndodh që dhe t’i nëpërkëmbin, kur shohin hallin që i shtyn deri aty e që nuk u bën të kthehen pas.