(AIK-Presheva Jone)

 


Kuadrot shqiptare vazhdojnë të jenë të papërfaqësuar në nivelet udhëheqëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Zyrtarë shqiptarë pranë kësaj ministrie deklarojnë për agjencinë e lajmeve INA mungesën e përfaqësimit dhe mospërfilljen në organet udhëheqëse të MPB-së.

Zyrtarët shqiptarë në detyrat e larta udhëheqëse janë vetëm në cilësinë e zëvendësave si zëvendësministri Xhevat Buçi, zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Sigurim Publik dhe zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit.

Partia aktuale në pushtet BDI me ndarjen e resorëve qeveritar me VMRO-DPMNE-në ka humbur postin e Sekretarit shtetëror të MPB-së, që udhëhiqej nga funksionarë shqiptarë.

Nga katër sektorët: Sektori për marrëdhënie me publikun dhe informata, Sektori për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale, Sektori për punë juridike dhe resurse njerëzore si dhe Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar drejtohen nga nivelet e ndihmësministrave dhe ato udhëhiqen nga kuadro të komunitetit maqedonas.

Edhe Njësia për punë protokollare drejtohet nga kuadro maqedonase Natalija Spirova-Kordiq.

“Gjendja sa i përket vendimmarrjes së kuadrove shqiptare është e nivelit zero, pasi që nuk ka qasje askush në operacionet dhe urdhrat që merren nga lartë. Pra, jemi të sigurt se jemi të papërfillshëm, për shkak të mungesës së fuqisë politike. Apelojmë që të flitet më shumë sa i përket MPB-së dhe të kërkohet një përfaqësim më dinjitoz i shqiptarëve”, thekson për agjencinë e lajmeve INA, një zyrtar i MPB-së.

Nga nëntë sektorët që janë nën Drejtorinë e Sigurimit Publik vetëm një udhëhiqet nga kuadër shqiptarë, ndërsa në të gjitha të tjerat dominojnë me numër më të madh edhe ato kuadro të komunitetit pakicë serb.

Në nivel të Sektorëve apo Sekretariateve rajonale vetëm Sekretariati i Punëve të Brendshme të Tetovës udhëhiqet nga kuadër shqiptar, ndërsa nëntë sektorët e tjerë udhëhiqen nga kuadro të komunitetit maqedonas.

MPB deri tani nuk ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të shqiptarëve pranë radhëve të saj, ndërsa jozyrtarisht qarkullojnë shifra të ndryshme me një përfaqësim mbi 18 për qind.

SHPËRNDAJE