Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvilluan homazhe në nder të Mbretit të Shqiptareve Leka Zogu I. Pranë arkivolit me trupin e pajetë bënë homazhe personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, presidentja e Kosovës Jahjaga, ambasadorët e akredituar në Tiranë, politikanë, intelektualë dhe qytetarë. Basha: Mbreti Leka Zogu figurë themelore për aktet shtetformuese të Shqipërisë. Mbreti Leka Zogu do të prehet në varrezat e Sharrës, pranë eshtrave të së ëmës, mbretëreshës Geraldinë dhe bashkëshortes së tij, Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.

PRINCI LEKA ZOGU II: DO JEM NË SHËRBIM TË KOMBIT

Kortezhi i makinave për varrimin e Leka Zogut të parë mbërriti në varrezat e Sharrës. Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e varrimit, i biri i pretendentit të fronit mbretëror, PRINCI Leka Zogu i Dytë u betua se do të ndjekë rrugën e të atit.
“Betohem se do të ndjek rrugën e mbretit Leka dhe do jem në shërbim të kombit dhe atdheut”, u shpreh Leka Zogu II.

 

BASHA, FJALIM LAMTUMIRE

Pas lutjeve të përfaqësuesve të besimeve fetare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mbajti një fjalim lamtumire, përpara qindra të pranishmeve në oborrin e Kuvendit, ku u zhvilluan ritet e fundit para trupit të Leka Zogut. Basha e cilësoi Leka Zogun e Parë si një figurë themelore për aktet shtetformuese të Shqipërisë. Kryebashkiaku vlerësoi lart figurën e tij dhe kontributet e familjes mbretërore për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Jemi sot për t’u ndarë përgjithmonë nga Princi shqiptar, Leka Zogu i Parë. Kurorën e Shqipërisë mbretëria nuk ja dha askujt, as Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu, të cilët nuk e negociuan kurrë kurorën mbretërore, duke e cilësuat si pronë të kombit shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij, u preftë i qetë në tokën arbërore”,- tha Basha.

4 PËRFAQËSUESIT E BESIMEVE FETARE, LUTJE PËR SHPIRTIN E LEKA ZOGUT

Pas homazheve në Kuvend, që vazhduan për rreth 2 orë, arkivoli me trupin e pajetë të N.M.T Leka Zogu I, me uniformë ushtarake, sipas amanetit të lënë prej tij, u vendos në ambientet e jashtme të Kuvendit. Katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend u lutën për shpirtin e Leka Zogut I.

 

TOPI, BERISHA E JAHJAGA NDEROJNË MBRETIN LEKA ZOGUN E PARË

Rreth mesditës, mbërritën njëri pas tjetrit në hollin e Kuvendit personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, si dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Kryeministri Berisha bëri homazhe pranë arkivolit të Leka Zogut I, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Liri Berisha. Menjëherë pas tyre, edhe presidenti i Republikës Bamir Topi nderoi pretendentin e fronit mbretëror.

BASHA, TOPALLI E META HOMAZHE PËR MBRETIN LEKA ZOGUN E PARË
Ora: 11:40 Rreth orës 11:40, pranë arkivolit me trupin e pajetë të Leka Zogu I, bënë homazhe edhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha; kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli dhe kreu i LSI-së Ilir Meta, të cilët takuan familjarët e të ndjerit dhe shprehën ngushëllimet e tyre.

Më parë, zhvilluan homazhe edhe kryetari i Komitetit Musliman, Selim Muça, Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, si dhe një përfaqësi e Luginës së Preshevës.

Qindra qytetarë po presin ende jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë për të nderuar pretendentin e fronit mbretëror, Leka Zogu I.

Trupi i M.M.T. Leka Zogut të I, do të dalë nga Parlamenti dhe do të përcillet në bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” sheshi Skënderbej për t’u drejtuar më pas në varrezat e Sharrës. Që dje Bashkia e Tiranës i veshi me të kuqe pemët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Qeveria shpalli ditën e sotme, ditë zie kombëtare ndërsa në të gjitha institucionet e vendit flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.

ARVIZU E WOLLFARTH HOMAZHE NË NDER TË LEKA ZOGUT
Ora 10:30- Në kuvend vijojnë homazhet në nder të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu i Parë. Ambasadori amerikan Alexander Arvizu dhe ai i OSBE-së Eugen Wollfarth kryen homazhe në orën 10:30. Ndërkohë, anëtarë të kabinetit qeveritar, politikanë, intelektualë, qytetarë por edhe të ardhur nga trojet e tjera shqiptare kanë ngushëlluar familjarët dhe të afërmit dhe kanë bërë homazhe pranë arkivolit me trupin e pajetë. Personalitete të larta të shtetit pritet të zhvillojnë homazhe deri në mesditë.

SOT CEREMONIA MORTORE. NË TIRANË, FAMILJA MBRETËRORE ITALIANE
Ora: 07:45 Dje mbërritën në Tiranë përfaqësues të familjes mbretërore italiane, Savoia, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Leka Zogut të I.
Ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, në një mesazh ngushëllimi të tij është shprehur se, nëse familja mbretërore nuk do të ketë impenjime zyrtare, princi Filipe së bashku me princeshë Letizian mund të jenë në kryeqytetin shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë e së shtunës.

Gjithashtu kanë konfirmuar ardhjen përfaqësues të mbretit rumun Mikael. Në mesin e të ftuarve do të jenë edhe familja e mbretëreshës Geraldinë si dhe shumë personalitete shqiptare, ku mes të tjerëve përmendim Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga si dhe të ardhur nga diaspora për të përcjellë Leka Zogun e I.

Kreu i komunitetit mysliman Haxhi Selim Muça, që i përcolli Lekës së II, ngushëllimet e gjithë shqiptarëve myslimanë, kreu i komunitetit bektashinj. Sot para varrimit të Leka Zogut të I të katër komunitetet fetare do ta përcjellin me një lutje të përbashkët, secili sipas riteve të veta.

* * * * * *

Shqiptarët do të përcjellin sot për në banesën e fundit, trupin e pajetë të N.M.T Leka Zogu I. E vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e sotme do të jetë një ditë zie kombëtare në nderim të figurës së Pretendentit për Fronin Mbretëror Leka Zogu I, homazhet e të cilit do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në orën 12:00 në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Përcjellja për në banesën e fundit të NMT Leka I do të përfshijë nderimet më të larta që parashikohen në Protokollin e Shtetit. Gjithashtu, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, do të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje në nder të NMT, Leka Zogu I. Radio Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, të transmetojë muzikë funebre. Në homazhet që do të zhvillohen priten të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit, ambasadorë të Trupit Diplomatik në Tiranë, përfaqësues të oborreve monarkike në Europë dhe më gjerë, miq të familjes së Mbretit Zog, shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora. Për përgatitjen e ceremonisë së homazheve dhe më pas varrimit në varrezat e Sharrës, Këshilli i Ministrave ka ngritur Komisionin Ndërministror, i cili do të marrë përsipër edhe shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit. Mbret i Shqiptareve Leka Zogu I u nda nga jeta, në moshën 72-vjeçare, pas një arresti kardiak. NMT Leka Zogu i Parë qëndroi i shtruar prej datës 15 nëntor në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në Spitalin Nr.5 në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, pasi pësoi një fibrilacion arterial, formë e aritmisë, ai vuante prej kohësh nga shqetësime të rënda në zemër e mushkëri.

Akset rrugore që do të bllokohen

Policia e Shtetit njoftoi dje banorët e kryeqytetit për rrugët, të cilat do të qëndrojnë të bllokuara gjatë ditës së sotme, për shkak të kryerjes së homazheve në nderim të NMT Leka Zogu I. Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit deklaroi se nga ora 08:00 deri në orën 13:00 do të merren masat për bllokimin e trafikut dhe moslejimin e parkimit të mjeteve, në segmentin rrugor përgjatë rrugës Xhorxh W. Bush nga Sheshi “Sulejman Pasha” deri te Bulevardi “Zhan D’Ark”, Ura e rrugës së “Elbasanit”. “Marrjen e masave të sigurisë gjatë zhvillimit të ceremonisë mortore të pretendentit për Fronin Mbretëror, Leka i Parë, që do të zhvillohet më datë 03.12.2011. Bazuar në shkresën e Drejtorisë së Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, datë 01.12.2011, dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit njoftohemi se, më datë 03 dhjetor 2011, ora 10.00 – 12.00, organizohen homazhe në hollin qendror të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ku dhe zhvillohet ceremonia mortore për vdekjen e Leka Zogu i I-rë Pretendent për Fronin Mbretëror dhe më pas do të përcillet trupi i tij për në banesën e fundit. Nga shërbimet e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore më datë 03 dhjetor 2011 ora 08.00 deri në orën 13.00 do të merren masat për bllokimin e trafikut dhe moslejimin e parkimit të mjeteve, në segmentin rrugor përgjatë rrugës Xhorxh W. Bush nga Sheshi “Sulejman Pasha” deri te Bulevardi “Zhan D’Ark”, Ura e rrugës së “Elbasanit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, policia ka marrë masat e sigurisë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë-Bulevardi “Zhan D’Ark”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi “Skënderbej”, Rruga e “Kavajës”, varrezat e Sharrës

SHPËRNDAJE