Në prag të mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të votohet projektrezoluta e hartuar mbi raportin e deputetit Dick Marty, politika shqiptare po vihet ngadalë në lëvizje.

Tirane, 11 janar AIK-Presheva Jone

Anëtarët e delegacionit shqiptar duhet të takoheshin të hënën, mbledhje që përfundimisht është shtyrë për të martën në orën 11. Duket se pas kësaj nisme qëndron vetë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Në mbledhje pritet që të diskutohet për qëndrimin e përbashkët që do të mbajnë deputetët shqiptarë, pavarësisht kaheve politike, gjë që është kërkuar edhe nga opozita në Shqipëri.

Ky bashkërendim bëhet akoma më i domosdoshëm po të kihet parasysh se projektrezoluta që bazohet mbi raportin e Dick Marty është miratuar nga Komisioni i cështjeve ligjore dhe të drejtave të njeriut të Asamblesë me unanimitet.

Në mbledhjen që u mbajt më 16 dhjetor, përfaqësuesi shqiptar mungoi për shkak se nuk ishte vënë në dijeni nga Kuvendi. Në rast se do të kishte marrë pjesë, projektrezoluta do të kishte të paktën sa për formë, një votë kundër.

Në sesionin e Asamblesë Parlamentare që celet më 24 janar, projektrezoluta do të diskutohet dhe do të hidhet për votim duke filluar nga ora 16.00 dhe deputetëve shqiptarë do t’u duhet të dorëzojnë eventualisht amendamente deri të hënën 24 janar ora 16, dhe po ashtu të lobojnë pranë kolegëve të tyre nga 47 vende anëtare të Këshillit.

Në sesion pritet të flasin ndër të tjerë presidenti serb Tadic dhe kryeministri shqiptar Berisha.

Vetë projektrezoluta kërkon hetim ndërkombëtar dhe kombëtar nisur nga ajo cka flitet për zhdukje personi, trafik organesh, trafik armësh dhe droge në Kosovë, ku akuzohet të jetë përfshirë edhe një pjesë e klasës politike kosovare.

Shqiptarët kanë vlerësuar se më shumë se shqetësimi për të bërë drejtësi, raporti dhe projektrezoluta synojnë të dobësojnë institucionet legjitime të Kosovës së pavarur.

Ndaj, kundër kësaj projektrezoute janë ndërmarrë ndërkaq edhe dy nisma të tjera: së pari një peticion i nismuar nga ish-luftëtarë të UCK-së me mbështetjen edhe të të ashtuquajturit Klubi i Patriotëve të Rinj të PDU-së, peticion që po përhapet në të tëra qytetet shqiptare.

Së dyti, një kërkesë e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, që kryeministri Berisha të mbledhë tërë partitë mbarëshqiptare.

Madje, burime për Top Channel konfirmojnë se kjo kërkesë, pas artikulimit për herë të parë në formën e një letre të hapur të dielën, të hëhën ka mbërritur edhe zyrtarisht në Kryeministri.

SHPËRNDAJE