Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), me seli në Tiranë, mbështet embargon e vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe, si masë reciprociteti ndaj të njëjtit akt të zhvilluar nga qeveria serbe në vitin 2008.

Si pjesë e pandashme e programit të PDIU-së, reciprociteti është mjeti që duhet të ndjekin qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës për të mundësuar marrëdhënie të mira dhe frytdhënëse me të gjitha vendet fqinje. Në këtë kuadër, PDIU i bën thirrje Dhomës së Tregtisë së Tiranës që t’i bashkëngjitet nismave të dhomave analoge turke, maqedonase dhe kroate për zëvendësimin e produkteve serbe që nuk do të jenë më në tregun e Kosovës me produkte shqiptare.

Në këndvështrimin tonë, biznesi shqiptar, i sponsorizuar edhe nga autoritetet shtetërore duhet të ishte instanca e parë që do të ofronte këtë bashkëpunim. Bashkimi Ekonomik i Shqipërisë me Kosovën, si parakusht i bashkimit më të gjerë ekonomik me gjithë rajonin, tani më shumë se kurrë duhet të nisë nga zbatimi, theksohet në një komunikatë të kësaj partie, e cila shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për familjarët e policit të forcave speciale të Kosovës, Enver Zymberi.

SHPËRNDAJE