Pas shumë spekulimeve, Komisioni Evropian (KE) konfirmon se do të rrisë energjitë për të lehtësuar zbatimin e 12 rekomandimeve, në mënyrë që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit. Ka qenë vetë komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, që ka deklaruar se javën e ardhshme fillon një dialog konkret me palën shqiptare për të parë se si Komisioni mund të lehtësojë zbatimin e 12 prioriteteve.

“Unë pata një diskutim shumë të mirë me ministrin e jashtëm shqiptar. Ne kemi biseduar, se sa e rëndësishme është për Shqipërinë që të arrijë një masë progresi për 12 rekomandimet, për reformën elektorale, pas marrëveshjes së arritur në nëntor ,në mënyrë që Komisioni Evropian (KE) t’ju bëjë një rekomandim pozitiv shteteve anëtare për statusin e kandidatit. Ne kemi folur rreth një udhërrëfyesi për t’ia arritur këtij qëllimi. Ne do të fillojmë javën e ardhshme një dialog konkret me palën shqiptare me një listë të prioriteteve të zbatueshme, çfarë mund të bëhet nga ana shqiptare, si mund të lehtësojë këtë proces Komisioni Evropian. Diskutimi që kemi patur dje dhe progresi i deritanishëm ka qenë inkurajues”, është shprehur Fyle.

Ai ka përshëndetur aprovimin e Kodit Penal me shumicë të cilësuar, por ka bërë thirrje për klasën politike shqiptare që ta lerë retorikën.

“Është një lajm shumë i mirë, sidomos pas atyre që lexojmë në shtyp mbi të rejat në Shqipëri. Është diçka që e kam diskutuar me kryeministrin me ministrin e jashtëm, dhe që do diskutohet edhe me liderin e opozitës. Mesazhi ynë është: Duhet që forcat politike ta lenë retorikën. Retorika politike nuk ju ndihmon të ecni me reformat gjithëpërfshirëse. Përqendrohuni te panorama pozitive e progresit shqiptar. Kjo është ajo që kërkohet nga shtete anëtare”, tha komisioneri Fyle.

Gjatë muajve të ardhshëm, Komisioni Evropian (KE) do të zhvillojë takime të shpeshta me autoritete shqiptare për të lehtësuar përshpejtimin e ritmit të reformave në Shqipëri.

SHPËRNDAJE