Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë dritën e gjelbër formimit të Komisionit që do të hetojë raportin e Dick Martyt. Pro formimit të këtij komisioni kanë votuar 85 deputetë, derisa 12 të tjerë kanë qenë kundër dhe 4 kanë abstenuar, raporton Express.
Komisioni do të drejtohet nga deputeti Ulsi Manja.
Nga mazhoranca anëtarë do të jenë Ulsi Manja, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj.
Nga opozita parlamentare anëtarë janë Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Enver Roshi. Pjesë e komisionit do jetë edhe deputetja Elena Xhina.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të hetojë raportin e Dick Marty, në të cilin pretendohet se gjatë luftës së UÇK-së janë kryer krime kundër njerëzimit.
Në raport, Dick Marty përmend të ashtuquajturën “Shtëpinë e Verdhë” në qarkun e Matit, e cila sipas tij është përdorur për të kryer transplantim organesh.
Propozimi për ngritjen e këtij komisioni erdhi disa javë pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.