Kur vjen puna për të thyer rekorde jemi të sigurt që asnjë shtet në botë nuk mund të na e kalojë për nga numri i bar-kafeve, të cilat i gjen në qendër të qyteteve, në çdo cep të lagjes, apo edhe anash rrugëve ndërqytetase, edhe pse që prej mesit të marsit janë të mbylluara për shkak të kufizimeve të Covid19 dhe mund të rifillojnë hapjen vetëm pas 18 majit.
Viti 2018 shënoi sërish rritje të numrit të tyreve, ndonëse kanë një normë të lartë të falimentimit. Sipas të dhënave nga INSTAT numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4% në raport me një vit më parë, pas një rënieje në vitin e mëparshëm.
Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Europian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.
Nuk është rastësi që vendet me numrin më të lartë të këtij aktiviteti, janë vende që ekonominë e tyre e kanë lidhur ngushtë me turizmin.
Kështu në vend të parë për sa i përket numrit të bareve në BE renditet Portugalia, e cila kishte 427 bare për çdo 100 mijë banorë.
Në top 5 vendet me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211.
Nga ana tjetër, numrin më të ulët ndër vendet e BE-së dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar e ka shënuar Serbia, ku sipas të dhënave të Eurostat dhe përllogaritjeve të “Monitor” në raport me popullsinë kishte vetëm 9 bare (aktivitete të shërbimit të pijeve) për 100 mijë banorë.
Edhe në vendet e Europës së Veriut, numri i bareve në raport me popullsinë është relativisht i ulët. Në Norvegji, për shembull, kishte vetëm 11 bare për 100 mijë banorë që jetojnë atje, në Gjermani vetëm 43, ndërsa në Belgjikë 108.
Për sa i përket vendeve të rajonit Serbia shënoi rekordin më të ulët, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kishte 47 bare për çdo 100 mijë banorë. Bosnje dhe Hercegovina ka një numër më të lartë se mesatarja e shteteve të BE-së me 169 bare për 1000 mijë banorë.
Ia kalojmë” dhe botës
Krahasuar edhe me disa prej destinacioneve më popullore në botë, Shqipëria sërish ruan epërsinë për numrin e kafeve.
Ndër kryeqytetet me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë renditet Buenos Aires në Argjentinë, ku sipas WORLD CITIES CULTURE FORUM (kliko këtu), kishte 367 bare për 100 mijë banorë. Ndërkohë në vend të dytë rendit Romën, kryeqytetin e Italisë me rreth 331 bare për 100 mijë bare.
Tokio në Japoni përllogariste në rreth 217 bare për 100 mijë banorë sipas të dhënave të 2016-s. Madridi me 186, Brukseli me 148.3. Ndërsa numrin më të ulët e ka Stambolli, me 2.1 bare për 100 mijë banorë, bazuar në të dhënat e Dhomës së Tregtisë atje.
Shtohen baret, mbyllen restorantet
Ndërsa bar-kafetë vijojnë të mbeten një biznes i preferuar për shumëkënd, me klientët që mund të rrinë ulur për orë të tëra edhe duke konsumuar vetëm një kafe, nuk po ndodh e njëjta gjë me restorantet, ku duhet të mendohesh dy herë, pasi shpenzimi është më i lartë. Numri i tyre ka rënë ndjeshëm me 21% në 2018-n, sipas të dhënave të INSTAT, apo rreth 880 restorante më pak sesa një vit më parë.