Komunat shqiptare në Luginën e Preshevës kundërshtojnë procedurat ligjore burokratike të vendosura nga autoritetet e Shkupit për studentët e Luginës së Preshevës që studiojnë në universitetet e Maqedonisë.

Kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit këto shqetësime pritet t`ia shpalosin përfaqësuesve shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë, duke kërkuar heqjen e kushteve dhe procedurave burokratike për studentët shqiptarë të Luginës. Sipas procedurave të reja ligjore, studentët që studiojnë në universitetet në Maqedoni, kryesisht në USHT dhe UEJL duhet të sigurojnë lejen e qëndrimit, e cila sigurohet përmes plotësimit të një varg dokumenteve dhe aplikimit në ambasadën e Maqedonisë në Beograd. Agjencia e lajmeve INA javën e kaluar ka alarmuar shqetësimet e studentëve dhe barrierat e tyre për të vijuar studimet në Maqedoni.

Studentët kanë apeluar se këto shqetësime të tyre të dëgjohen edhe nga universitetet, të cilët duhet të reagojnë, sepse përndryshe do të humbasin numrin e madh të studentëve nga Lugina e Preshevës.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe ai i Bujanocit, Nagip Arifi kanë paralajmëruar realizimin e takimeve me rektorët e dy universiteteve shqiptare në Maqedoni, por edhe takime me autoritetet qeveritare si zëvendëskryeministrin Musa Xhaferri, zëvendësministrin e brendshëm Xhelal Bajrami dhe përfaqësues tjerë të institucioneve qeveritare, për të mundësuar kushte më liberale dhe lëvizjen e lirë të studentëve, duke përjashtuar barrierat përmes procedurave burokratike. Dy krerët e këtyre komunave kanë theksuar se në rast se kërkesat do të jenë të papërfillshme, ata do të takojnë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, për të kërkuar ndërhyrjen e tij në tejkalimin e këtyre barrierave.

SHPËRNDAJE