Forcat detare ruse kanë njoftuar se i kanë zbuluar pesë ishuj të rinj, të cilët besohet se kanë dalë në sipërfaqe pas shkrirjes së akullnajave në Arktik.

Pas ekspeditës së zhvilluar në gusht dhe shtator në ujërat veriore të Federatës Ruse, shefi i flotës veriore, Aleksander Moiseyev, tha se këta ishuj më parë kanë qenë të mbuluar nga akulli, ndërsa autoritetet ende nuk ua kanë vendosur emrat.

“Kjo është shkaktuar kryesisht për shkak të ndryshimit të gjendjes së akujve. Më parë, ata kanë qenë akullnaja. Ne kemi menduar se ata janë pjesë e akullnajës kryesore. Shkrirja e akullit, shembja e tij dhe ndryshimi i temperaturave ndikuan që këta ishuj të zbulohen”, tha ai.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, i cili u publikua muajin e kaluar, shkrirja e akullit në Arktik në periudhën 2015-2019 ka qenë më e madhe sesa të gjitha periudhat e mëparshme pesëvjeçare.

Rusia i ka ndërtuar disa baza ushtarake dhe shkencore në Arktik viteve të fundit. Ky shtet është i interesuar për hulumtimin e këtij rajoni për shkak të rritjes së temperaturave dhe hapjes së rrugëve detare, duke e mundësuar kërkimin më të lehtë të pasurive natyrore, shkruan “The Guardian”.

SHPËRNDAJE