Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, Mark Gjonaj, flet për situatën dhe vështirësitë e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në New York. Ai shpreh ngushullimet e sinqerta për familjet e viktimave dhe lutet për pacientët e infektuar që po zhvillojnë betejën për jetën. Gjithashtu, si Kryetar i Komitetit për bizneset e vogla në bashki, z. Gjonaj tregon për ndikimin e krizës në bizneset e komunitetit shqiptar dhe mundësinë për të aplikuar për grante dhe kredi të ofruara nga qeveria federale.
 
Gjonajt gjithashtu tha se do të ketë edhe paketa të tjera stimuluese për biznesin e vogël, sepse kërkesat janë të shumta. Janë bizneset ato që po e ndjejnë më shumë këtë krizë.

“Ndihmat nuk po vijnë aq shpejt sa duhet. Qeveria është e ngadaltë dhe nevojat janë të ngutshme. Nuk po tregohemi aq të shpejtë sa duhet. Por, ne po mundohemi shumë. Edhe pse zyra ime është e mbyllur, telefonat e mi nuk pushojnë, ne u përgjigjemi pyetjeve dhe kërkesave të ndryshme të komunitetit, përfshirë edhe atë shqiptaro-amerikan. Ne duhet ta kalojmë këtë krizë së bashku. Qeveria po ben punën e saj dhe dyert tona janë të hapura për këdo që do ushqim dhe strehim”, u shpreh Mark Gjonaj për Zërin e Amerikës.
Gjithashtu, ai dha një mesazh për komunitetin shqiptaro-amerikan, ku i këshillon ata të qëndrojnë aty ku janë, të mos kërkojnë lëvizje dhe të dalin nga shtëpia vetëm për raste nevojash, sepse ky virus po bën shumë dëme.

SHPËRNDAJE