Koalicioni i partive opozitare në Maqedoni ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski ka deklaruar mbrëmë se në rast se opozita do të fitojë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, atëherë do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Në rast se në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm tregohet se opozita ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve, atëherë do të jetë një sinjal për zgjedhje të parakohshme, një praktikë që është e zakonshme në çdo shtet evropian”, ka theksuar Cërvenkovski në një takim me aktivistët dhe simpatizantët në Kavadarci, njofton INA.

Ai paralajmëroi fitore të sigurt në zgjedhjet e ardhshme lokale, për të cilët siç tha ai kanë nisur përgatitjet. Këto janë sinjalet e para që opozita sërish ka shfaqur kërkesën për zgjedhje të parakohshme, pas atyre që u mbajtën në qershor të vitit të kaluar, ku fitoi VMRO-DPMNE tek kampi politik maqedonas dhe BDI tek kampi politik shqiptar.

SHPËRNDAJE