Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës dhe shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, lidhur në deklaratën e presidentit serb, Boris Tadiq, se menaxhimi i integruar i kufijve ka qenë ide e tij, Tahiri në një intervistë për Kosovapress ka deklaruar se kjo ide ka ardhur nga Bashkimi Evropian, ndërsa akuzon Beogradin zyrtar, se ende nuk ka dal nga kornizat e nacionalizmit, duke mos arrit që të japë ide evropiane, apo t’i zbatojë ato ide.

Duke folur për vizitën e fundit të ndërmjetësit evropian, Robert Kuper, në Prishtinë, Edita Tahiri thotë gjatë takimit kanë biseduar për nevojën e implementimit të marrëveshjeve të arritura në Burksl, mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu sipas saj, në takim Kuperi shpalosi idenë e menaxhimit të integruar të kufijve.

Ajo shtoi se mbi bazën e bashkëpunimit si dy shtete të pavarura dhe fqinje, Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin pozitiv dhe në të ardhmen do të angazhohet që këto parime të reflektohen në një marrëveshje që mund të nënshkruhen nga shteti i Kosovës, i Serbisë dhe Bashkimi Evropian.

Kurse, sa i përket deklaratave të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se menaxhimi i integruar kufijve ka qenë ide e tij, Tahiri thotë se Tadiqi duhet ta ketë parasysh që koncepti evropian për menaxhimit e integruar të kufijve është një koncept i definuar me ligjet evropiane, që flet qartë për vendosjen e bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe kjo është baza juridike e politike e çfarëdo marrëveshje që mund të del në këtë drejtim.

“Për sa i takon ideve dhe politikave të Serbisë, ende nuk kanë dal nga kornizat e nacionalizmit, pra nuk kanë arrit që të japin ide evropiane, apo t’i zbatojnë idetë evropiane”, ka thënë Tahiri.

Kryenegociatorja Edita Tahiri po ashtu potencoi se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian më shumë konstruktivitet si palë në bisedime, që Kosova të shpërblehet me marrjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Sipas Tahirit, Kosova gjatë këtij dialogu ka shënuar fitore shumë dimensionale, pasi që është hera e parë që Serbia kushtëzohet në rrugën e integrimeve evropian me Kosovën, por gjithashtu një fitore tjetër është që Kosova dhe Serbia për herë të parë gjatë një historie armiqësore kanë arritur pesë marrëveshje.

SHPËRNDAJE