Në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë, në komunën e Leposaviqit, në veri, autoritetet e sigurisë kanë hapur mundësinë e lëvizjes së njerëzve dhe makinave. Por, vendkalimi shfrytëzohet shumë pak nga banorët lokal serb që shfrytëzojnë rrugë alternative për kalimin e kufirit. Një nga përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës, Kërstimir Pantiç, tha se edhe më tej serbët në zonë nuk pranojnë asnjë nga institucionet e Prishtinës.
“Ne nuk duam dhe në referendumin e 14 dhe 15 shkurtit, kemi thënë se nuk duam të kemi institucione shqiptare në veri, nuk duam të jemi kosovar, por serbë me shtetësi serbe dhe nuk duam që dikush me dhunë të na detyrojë të pranojmë një shtet që nuk e njohim”, tha Kërstimir Pantiç.
Rrugët në zonë vazhdojnë të mbahen të bllokuara dhe ndonëse numri i barrikadave të ngritura në korrik të vitit të kaluar është më i vogël, ato vazhdojnë të qëndrojnë në disa pjesë të vendit, ndërsa grupe serbësh bëjnë rojë për të penguar çdo lëvizje të autoriteteve të Prishtinës apo edhe për të kontrolluar lëvizjet e EULEX-it. Rrugë dytësore janë hapur përreth vendkalimeve kufitare dhe nëpër to lëvizin kryesisht makina me mallra që nuk lejohen në vendkalimet zyrtare.
Përfaqësuesit e serbëve në veri thonë se janë shqetësuar nga paralajmërimet e EULEX-it se ata mund të përdorin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë deri në muajin qershor, ndërsa më pastaj duhet të pajisen me dokumente të Kosovës
Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar serb, Nebojsha Joviç, thotë se veprimet e tilla mund të tensionojnë situatën edhe ashtu të nderë në veri.
“Për shkak të aksioneve problematike të ditëve të fundit qoftë të KFOR-it dhe EULEX-it, kam frikë se situata mund të shkallëzojë”, tha Nebojsha Joviç.
Zyrtarë të EULEX-it thanë se çështja e dokumenteve, është pjesë e marrëveshjes për lëvizjen e lirë e cila ishte arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit të kaluar, në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Por, Kërstimir Pantic, thotë se marrëveshja nuk ka të bëjë me serbët në veri…
“Ne kemi dëgjuar nga negociatori ynë Borisllav Stefanoviç, se kjo nuk është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe ajo pjesë e marrëveshjes nuk ka të bëjë me veriun e Kosovës dhe as me dy vendkalimet kufitare në veri”, tha ai.
Ndërsa, Nebojsha Jovic, kritikon ashpër shefin e delegacionit të Serbisë, i cili sipas tij nuk gëzon më mbështetjen e serbëve në veri.
“Tash kemi një situatë që Borisllav Stefanoviç thotë se është arritur një marrëveshje, ndërsa KFOR-i, EULEX-i dhe pala shqiptare thonë se është arritur një tjetër. Fatkeqësisht, në pjesën më të madhe del se KFOR-i EULEX-i dhe pala shqiptare kanë të drejtë”, tha Neboksha Joviç.
Në veri nuk njihen e as nuk pranohen institucionet e Kosovës e rrjedhimisht as dokumentet e lëshuara prej tyre. Në atë zonë nuk mund të lëvizet me tabela regjistrimi të Kosovës, por vetëm me ato serbe apo edhe fare pa tabela.
Përfaqësuesit serbë presin që Beogradi të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë, si kusht për mbijetesën e institucioneve serbe.
“Mendoj se edhe këtë radhë zgjedhjet lokale duhet të mbahen, sepse në të kundërtën kjo do të thoshte se qeveria e Republikës së Serbisë po heq dorë nga Kosova si pjesë e territorit të saj”, tha Kërstimir Pantiç.
Paralajmërimet se Beogradi mund të organizojë zgjedhjet lokale edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, kanë nxitur reagime të Prishtinës por edhe diplomatëve perëndimorë. Qeveria e Kosovës vlerëson se ato zgjedhje janë të paligjshme ndërsa i bën thirrje komunitetit ndërkombëtarë të ushtrojë trysni mbi Beogradin për të hequr dorë nga synimet e tilla.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që filluan një vit më parë, ishte thënë se mund të shtendosin gjendjen në veri, por rezultatet e tyre në këtë zonë janë të pavërejtshme.
Sapo kalon në pjesën veriore, e vetmja gjë që lë të kuptohet se ajo zonë është pjesë e tërësisë tokësore të Kosovës, është lëvizja e herëpashershme e makinave të forcave të NATO-s. (voa)

SHPËRNDAJE