Zëvendëskryeministri në detyrë Driton Selmanaj, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione Kosovës, para se të nënshkruhej marrëveshja në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Selmanaj numëroi disa sanksione për të cilat shprehet i bindur se kanë ndodhur para se të ekipi i kryeministrit Hoti të nisej për në Uashington, shkruan Express.
“Minishengeni ka qenë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit. Mos harroni se ne kemi shkuar atje pas një periudhe ku Kosovës, po nga ky shtet që jemi të varur, na ka vendosur sanksione; Na i ka ndalur 200 milionë dollarë në ditën e parë, na ka ndalur ndihmën ushtarake për FSK’në, pastaj trajnimet për FSK’në, na e ka ndalur njohjen e Xhamajkës, ka filluar të diskutohet tërheqjen e forcave ushtarake nga Kosova dhe ne silleshim me sportivitet”, është shprehur Selmanaj.
Tutje ai tha se kanë bërë punë të jashtëzakonshme me 6 muaj në qeveri derisa hedh akuza ndaj qeverive të kaluara.
“E morëm qeverinë në situatën më të rëndë. Ishim në izolim të plotë. As me Shqipërinë nuk kishim komunikim. Pra nuk kishte komunikim direkt as me Shqipërinë. Kurti na prishi edhe me Shqipërinë, mos të flas më shumë. Por jemi krenar për atë që kemi bërë. Hoqëm reciprocitetin. Hapëm rrugët më ndërkombëtarët. Kjo shoqëri tani është e mataruar. Për të mirën e këtij vendin LDK është dëshmuar”, shtoi Selmanaj.